Kosova i mbyll me humbje kualifikimet për Euro 2020, Anglisë i bëhet mikpritje e ngrohtë në “Fadil Vokrri”

0
65

Kombëtarja e Kosovës e ka përjetuar humbjen e parë para tifozëve të vet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ka qenë pikërisht Kombëtarja e Anglisë, e cila iu gëzua fitores me rezultat 4:0 në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Euro 2020.

Ndeshja nisi me një spektakël në tribuna nga ana e tifozëve, të cilët i ofruan mikpritje të ngrohtë “Tre Luanëve”, derisa gjatë intonimit të himneve në tribunat e stadiumit u shpalosën flamujt e Kosovës dhe të Anglisë, derisa grupi i tifozëve “Dardanët” shpalosën koreografinë me mbishkrimin “Welcome & Respect”.

Në pjesën e parë futbollistët tanë e administruan mirë lojën, ndonëse ishin anglezët ata që u shfaqën më të rrezikshëm. Shifrat u zhbllokuan në minutën e 32-të kur realizoi Harry Winks. Me këtë rezultat u mbyllën 45 minutat e para, derisa në pjesën e dytë Dardanët u përpoqën të bëjnë diçka më tepër, por mungesat e shumta e bën të pamundur gjetjen e golit. Ndërkohë, në minutat e fundit futbollistët tanë sikur i lëshoi përqendrimi dhe pësuan edhe tre gola tjerë.

Fillimisht Harry Kane realizoi në minutën e 79-të, kurse më pas Rashford në të 83-tën dhe Mount në të 90-tën, duke vendosur epilogun e kësaj përballje, 4:0. Përkundër kësaj humbje futbollistët tanë u duartrokitën gjatë nga të gjithë të pranishmit për të gjitha emocionet e dhuruara në këtë cikël kualifikues, derisa në tribunën lindore u shpalos edhe një banderolë me fjalën “Faleminderit”.

Tani Kombëtarja e Kosovës do të jetë plotësisht e përqendruar në “play-off”-in e Ligës së Kombeve, nëpërmjet të cilës garë synohet kualifikimi në Euro 2020. Në gjysmëfinale të kësaj gare Kosova do të luajë kundër Maqedonisë së Veriut në muajin mars.