Kosova humb në përballje me Irlandën

0
63

Kombëtarja U17 e ka zhvilluar sot ndeshjen e tretë në kuadër të turneut  “Mercedes Benz Aegean Cup International Youth Tournament” në Izmir.

Dardanët e rinj janë mundur nga Republika e Irlandës, me rezultat 4:0, në një ndeshje ku përveç kundërshtarit të fortë, as fati nuk ishte në anën e djelmoshave të Besnik Kollarit. Në fakt pas epërsisë së irlandezëve 1:0, futbollistët tanë patën rast ideal për ta barazuar, por shtylla ua mohoi golin.

Edhe pas golit të dytë të irlandezëve djemtë tanë u përpoqën të ndryshojnë rrjedhën e lojës dhe patën mundësi për ta ngushtuar rezultatin, por dështuan të realizojnë nga penalltia. Kjo sikur ndikoi në moralin e lojtarëve, të cilët në pjesën e dytë pësuan edhe dy gola tjerë.

Gjithsesi, vlen të përmendet fakti që në këtë turne përzgjedhësi Kollari ka grumbulluar kryesisht futbollistë nga kampionati vendor të gjeneratës 2004 dhe 2005, në mënyrë që t’ju japë hapësirë për t’u testuar në nivele të tilla dhe për ta pasur një pasqyrë sa më reale në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e muajit tetor.