Kosova e dominoi Suedinë me lojë, por pësoi humbje

0
57

Kosova ka pësuar humbje me rezultat minimal nga Suedia në miqësoren e zhvilluar në Doha të Katarit, por ka treguar një paraqitje shumë të mirë, edhe pse përzgjedhësi Bernard Challandes shumicën e futbollistëve i kishte ftuar për herë të parë në këtë grumbullim. Dardanët gjatë tërë ndeshjes ishin më të mirë se suedezët, duke krijuar edhe disa raste të mira, por që nuk u treguan efikas në finalizim të aksioneve. Qysh në minutën e 3-të Ylldren Ibrahimaj rrezikoi portën e suedezëve me gjuajtje nga distanca, por topi shkoi pak mbi portë.  Një mundësi shumë të mirë Kosova e pati në minutën e 27-të, por gjuajtjen me kokë të Flamur Kastratit e priti portieri suedez, Abrahamsson. Dy minuta më vonë Fidan Aliti del në pozitë ideale, por nga dy metra nuk arriti ta çojë topin në rrjetë. Në pjesën e dytë përzgjedhësi Challandes bëri ndryshime të shumta në formacion, duke i dhënë mundësi edhe lojtarëve tjerë për lojë. Në rast të mirë për të shënuar u gjend Arbër Hoxha, por gjuajtja e tij në momentin e fundit u devijua nga mbrojtësi suedez. Ndërkohë, Suedia në rastin e vetëm arriti të gjejë golin, që doli të jetë edhe i fitores. Ishte minuta e 75-të kur një gabim të mbrojtjes e shfrytëzoi Simon Hedlun, duke e dërguar topin në rrjetën e portës së Visak Bekajt. Vetëm dy minuta pas golit të pësuar Jetmir Topalli ishte në mundësi për të barazuar, por gjuajtja e tij shkoi jashtë kuadratit të portës. Ndeshjen nga afër e ndoqën presidentët e dy federatave, Agim Ademi dhe Karl-Erik Nilsson, si dhe ambasadori i Kosovës, Amir Ahmeti e ai i Shqipërisë, Kujtim Xhani dhe një numër i bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Katar. Ndeshjen e radhës Kosova me përbërjen e saj më të fortë do ta ketë më 26 mars kundër Maqedonisë së Veriut në “play-off”-in e Ligës së Kombeve.

Deklaruan pas ndeshjes:
Fidan Aliti: Jam krenar çdo herë që e përfaqësoj Kosovën. Sot trajneri ma dha detyrën e kapitenit dhe u përpoqa ta ndihmoj ekipin me eksperiencën time. Mendoj se çdo njeri prej nesh e ka treguar veten dhe kemi luajtur ashtu siç ka kërkuar trajneri. Jam shumë krenar për këta djem të ri, të cilëve iu dha rasti për të luajtur dhe i treguan vlerat e tyre.

Jetmir Topalli: Kjo ishte njëra nga ato ndjenjat më të mira që kam përjetuar ndonjëherë. Shpresoj që ta përjetoj sërish një ndjenjë të tillë të përfaqësimit të shtetit tonë. Falënderoj trajnerin që na e ka dhënë këtë mundësi për të debutuar me kombëtaren dhe shpresoj se pa marrë parasysh në fund rezultatin kemi arritur t’i bëjmë krenar të gjithë me lojën e treguar. Ndoshta ka ndikuar edhe fakti që nuk e kemi njohur aq mirë njani-tjetrin, edhe pse gjatë stërvitjeve kemi punuar shumë. Tash duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në mënyrë që në të ardhmen të jemi sërish pjesë e kombëtares.