Kosova dhe Suedia diskutojnë për reformat kryesore të zhvillimit

0
119

Zyra e Kryeministrit dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë organizuan takimin vjetor midis Suedisë dhe Kosovës në kuadër të bashkëpunimit suedez për reforma me Kosovën, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit për reforma gjatë periudhës 2014-2020.

Në hapje të takimit, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj theksoi angazhimin e Qeverisë për një dialog të hapur me partnerët zhvillimorë, në mënyrë që t’i harmonizojnë përpjekjet e tyre së bashku dhe të përqendrojnë të gjithë mbështetjen e jashtme drejt agjendës zhvillimore të Kosovës. Z. Selmanaj më tej theksoi se në periudhën afatshkurtër, fokusi kryesor i Qeverisë është që të menaxhojë situatën me pandeminë COVID-19 dhe të sigurojë zbutjen e ndikimit ekonomik dhe social. “Është e rëndësishme për Qeverinë që mbështetja suedeze të jetë plotësisht e koordinuar me mbështetjen që marrim nga vendet dhe organizatat e tjera, andaj ne synojmë t’i intensifikojmë përpjekjet tona për të forcuar sistemin e koordinimit të donatorëve, përmes funksionimit të plotë të strukturave të krijuara për këtë qëllim”, tha Zëvendëskryeministri Selmanaj.

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, zonja Karin Hernmarck, përshëndeti angazhimin e Qeverisë për të përmirësuar sistemin e koordinimit të donatorëve, pasi ky është një shqetësim që Suedia ka ngritur në raste të mëparshme. Suedia aktualisht është duke përgatitur një strategji të re për bashkëpunimin, që do të vazhdojë të përqendrohet në barazinë gjinore, mjedisin dhe klimën, zgjidhjen pas konfliktit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Gjatë takimit, delegacionet e udhëhequra nga zëvendëskryeministri Selmanaj dhe ambasadorja Hernmarck shqyrtuan progresin në zbatimin e ndihmës së Suedisë për periudhën 2014-2020 në vlerë prej 8-10 milionë euro në vit. Delegacionet konfirmuan se ndihma po zbatohet siç është planifikuar, momentalisht me programe dhe projekte të ndryshme.