Kosova dënon ashpër sulmet e mbrëmshme në Vjenë, qëndron përkrah Austrisë dhe aleatëve të tjerë në luftën kundër terrorizmit global

0
77

Republika e Kosovës dënon ashpër sulmet terroriste që mbrëmë kryen ekstremistët në Vjenë dhe i qëndron përkrah popullit mik austriak dhe aleatëve të tjerë në luftën kundër terrorizmit global.

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe duke ndjerë dhembjen me popullin mik austriak, Ministrja e Punëvë të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla deklaroi:

“Republika e Kosovës qëndron afër qytetarëve të Vjenës ku ndodhën sulme terroriste, duke ndjerë dhembjen dhe trishtimin e austriakëve. Kryerësit e këtyre akteve terroriste meritojnë dënimin më të lartë të mundshëm, ndërsa obligimi ynë i përbashkët është që t’i bashkojmë forcat të gjithë në luftën dhe çrrënjosjen e terrorizmit”.

Republika e Kosovës qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë të Koalicionit Global në luftën kundër terrorizmit, e përkushtuar për një botë më të sigurt për të gjithë.