Kosova bëhet me federatë të Badmintonit, sportit më të shpejtë në botë

0
273

Cili është sporti më i shpejtë në botë? Tenisi? Jo. Futbolli? Bejsbolli? Jo. Sporti më i shpejtë në botë është badmintoni ku “topi-flutur” mund të arrijë shpejtësinë mbi 320 kilometra në orë.

Badmintoni ka rrënjë të ndryshme: Është rritur në Greqinë antike, Kinë, Japoni dhe Indi, kurse rregullat aktuale të këtij sporti janë zhvilluar në Angli. Loja e badmintonit është sjellë në SHBA gjatë shekullit XIX dhe ekipi i parë amerikan i badmintonit është hapur në vitin 1878 në New York.

Rregullat kanë ndryshuar me kalimin e kohës, por badmintoni mbetet një sport i veçantë për shkak të fluturës. Flutura është e ndërtuar nga tapa që gjendet në bazë dhe po ashtu përbëhet prej 16 puplave të zgjedhura të patës. Është aerodinamike dhe shumë e lehtë, pasi ka një peshë prej pesë gramëve.

Pavarësisht se në çfarë mënyre goditet flutura, ajo do të fluturojë për shkak të ndikimit të pendlave, duke e bërë një rrugëtim të parashikueshëm për t’ia mundësuar lojtarit që ta kontrollojë sa më mirë goditjen.

Ndërkohë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim Jeton Nebiun, kryetari i federatës më të re që u themelua në Kosovë, Federatës së Badmintonit.

Me këtë rast, kjo federatë u pajis me licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe njëherësh mes Federatës dhe MKRS-së u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi për përkrahje financiare.

Sipas memorandumit të nënshkruar, Federata e Badmintonit të Kosovës, mbështetet financiarisht me 35 mijë euro. Mjetet financiare të pranuara, Federata do t’i shfrytëzojë për realizimin e politikave programore për vitin 2019 për promovimin dhe avancimin e sportit të badmintonit.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se puna e tij për avancimin e sportit dhe krijimin e federatave të reja të nevojshme për të rinjtë e vendit nuk do të ndalet me kaq.

“Licencimi i Federatës së Badmintonit tregon edhe një herë përkushtimin tonë për sportin në vend dhe theksoj se është obligim i yni që t’i përkrahim financiarisht federatat dhe sportistët në vend. Nënshkrimi i këtij memorandumi vjen pas licencimit të kësaj federate të cilës i urojmë suksese dhe të cilën e garantojmë se do të jemi gjithmonë në mbështetje për avancimin e këtij sporti të ri në vendin tonë”, tha ministri Gashi.

Ndërkaq, kryetari Jeton Nebiu, fillimisht falënderoi ministrin Gashi për licencimin e Federatës dhe po ashtu edhe për nënshkrimin e memorandumit duke e cilësuar si shumë të nevojshme përkrahjen financiare nga ana e Ministrisë. Ai po ashtu tha se kjo federatë do të punoj në vazhdimësi në promovimin e këtij sporti të ri dhe angazhimin e sa më shumë talenteve të rinj në këtë sport./Oxygenpress.info