Koronavirusi: Komisioni Evropian propozon një pako të asistencës makro-financiare për 10 shtete, 100 milionë euro pë Kosovën

0
51

Komisioni Evropian e ka miratuar një propozim për pakon e asistencës makro-financiare prej 3 miliardë euro (AMF) për dhjetë partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë në kontekstin e pandemisë Koronavirus. Propozimi është pjesë e strategjisë 15.6 miliardë € ‘Ekipi Evropa’, përgjigjja e fortë dhe e synuar e BE-së në përkrahje të përpjekjeve të shteteve partnere në trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Ajo përfaqëson një demonstrim të rëndësishëm të solidaritetit të BE-së me këto shtete në kohën e një krize të paparë.
Propozimi, pas një vlerësimi paraprak të nevojave për financim, parashikon që fondet e AMF-së t’u shpërndahen shteteve përfituese si më poshtë: Republika e Shqipërisë (180 milion €), Bosnja dhe Hercegovina (250 milion €), Gjeorgjia (150 milion € ), Mbretëria Hashemite e Jordanisë (200 milion €), Kosova (100 milion €), Republika e Moldavisë (100 milion €), Mali i Zi (60 milion €), Republika e Maqedonisë së Veriut (160 milion €), Republika të Tunizisë (600 milion €) dhe Ukraina (1.2 miliardë €).
Valdis Dombrovskis, Nënkryetari Ekzekutiv i “An Economy that Works for People” tha: “Përkrahja e fqinjëve tonë është esenciale gjatë kësaj kohe të krizës për ta mbajtur të gjithë rajonin të qëndrueshëm. Si pjesë e përgjigjes globale të BE-së ndaj pandemisë së koronavirusit, ne duhet t’i ndihmojmë shtetet tona fqinje për ta amortizuar më të keqen e ndikimit ekonomik. Këto ‘programe të AMF në krizë’ do t’i asistojnë 10 shtete në sigurimin e stabilitetit makro-ekonomik dhe mbrojtjen e popullit dhe kompanive të tyre gjatë krizës.”
Paolo Gentiloni, Komisioneri për Ekonomi, tha: “Solidariteti Evropian nuk duhet të ndalet në kufijtë e Bashkimit tonë. Sepse në këtë krizë globale, ne qëndrojmë ose biem së bashku. Sot Komisioni Evropian po merr një hap vendimtar për të ndihmuar dhjetë fqinjët tanë në luftën kundër Koronavirusit. I bëj thirrje Parlamentit Evropian dhe Këshillit që shpejt të dakordohet për këtë pako të rëndësishme”.
Fondet e AMF do të vihen në dispozicion në formën e kredive me kushte shumë të favorshme për t’i ndihmuar këtyre shteteve t’i mbulojnë nevojat e tyre të menjëhershme dhe urgjente të financimit. Së bashku me përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet mund të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës që mundëson kanalizimin e resurseve drejt mbrojtjes së qytetarëve dhe zbutjes së pasojave të rënda negative socio-ekonomike të pandemisë.
Propozimi i Komisionit i nënshtrohet miratimit nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së. Duke pasur parasysh nevojën urgjente për këtë përkrahje, Komisioni llogaritë në bashkëpunimin e bashkë-ligjvënësve për ta siguruar miratimin e shpejtë të propozimit.
Pas miratimit të propozimit, Komisioni është i gatshëm që ta disbursojë këstin e parë sa më shpejtë që është e mundur, pasi të jetë arritur një marrëveshje me secilin përfitues që e përcakton kushtëzimin e politikave specifike për secilin partner. Kësti i dytë mund të disbursohet në tremujorin e katërt të vitit 2020 ose në gjysmën e parë të vitit 2021 me kusht që masat e bashkangjitura të politikave të jenë zbatuar me kohë. Siç ndodh zakonisht me AMF, disbursimet, ndër të tjera, do të kushtëzohen nga progresi i kënaqshëm me programin e FMN dhe në tërheqjen e vazhdueshme të fondeve të FMN nga partneri.
Konteksti
Ekipi Evropa
Përgjigja e BE-së e ndjekë qasjen e ‘Ekipit Evropa’, që synon të shpëtojë jetë duke siguruar përkrahje të shpejtë dhe të synuar për partnerët tanë për t’u përballur me këtë pandemi. Ajo kombinon resurse nga BE, Shtetet Anëtare të saj dhe institucionet financiare, veçanërisht Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për t’i përkrahur shtetet partnere dhe për t’i adresuar nevojat e tyre afatshkurtra të financimit, si dhe ndikimet afatgjatë strukturale në shoqëri dhe ekonomi. Pakot e para të ‘Ekipit Evropa’ tashmë po zbatohen në fqinjësinë e afërt: Ballkanin Perëndimor, në Lindje dhe në Jug.
BE, si aktor global dhe kontribuues madhor në sistemin e ndihmës ndërkombëtare, do ta promovojë një përgjigje të koordinuar shumëpalëshe, në partneritet me Kombet e Bashkuara, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, si dhe G7 dhe G20.
Asistenca makro financiare
AMF është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me shtetet fqinje dhe me synim që të bëhet një instrument të veçantë i BE-së për reagim ndaj krizave. Është në dispozicion për shtetet në zgjerim dhe shtetet fqinje të BE-së që përballen me probleme të rënda të bilancit të pagesave. Me zbatimin e asistencës, Komisioni do të sigurojë konsistencë me operacionet e fundit dhe të vazhdueshme të AMF-së.
Përveç AMF-së, BE-ja e përkrahë Fqinjësinë dhe Ballkanin Perëndimor përmes disa instrumenteve tjera, duke përfshirë ndihmën humanitare, përkrahjen me buxhet, programet tematike, asistencën teknike dhe lehtësirat e kombinuara për t’i përkrahur investimet.