Konsumi i tepërt i kripës dëmton shëndetin, ja si ta zëvendësoni ?

0
528

Ndoshta jo të gjithë e dinë se përveç kripës së kuzhinës, të cilën jemi mësuar të përdorim rëndom, ekzistojnë dhe kripëra të tjera që vijnë nga e gjithë bota dhe dallohen nga ngjyra e tyre. Secila ka karakteristika e vlera specifike, si dhe përdorime të caktuara në kuzhinë
Përveç kripës së bardhë klasike që njohim dhe përdorim të gjithë, ekzistojnë dhe lloje të tjera, që jo vetëm u japin më shumë shije recetave, por gjithashtu kanë më tepër vlera ushqyese për organizmin?

Në zonën e Mesdheut, ku bën pjesë dhe Shqipëria, kripa përdoret gjerësisht, jo vetëm në gatim, por gjithashtu për të marinuar ose konservuar ushqimet. Kur nuk kishte pajisje elektroshtëpiake, kripa ishte “frigoriferi” i shtëpisë. Për këtë arsye jemi mësuar prej shekujsh me shijen e saj. Jemi familjarizuar aq shumë me kripën, saqë e kemi të vështirë ta përjashtojmë nga dieta. Por mjekësia këshillon të bëjmë kujdes, pasi konsumi i tepërt i “klorurit të natriumit” favorizon hipertensionin dhe shton rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës, enëve të gjakut dhe veshkave.

Përdorimi i tepërt i natriumit rrit rrezikun e kancerit të stomakut apo humbjet e kalciumit me anë të urinës, çka favorizon osteoporozën. Shija e karakteristikat biologjike të kripës së zakonshme lidhen ngushtësisht me natriumin, sasia natyrale e të cilit në ushqime është e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e organizmit. Për pasojë, shtimi i kripës në dietë nuk është i nevojshëm për të përmbushur kërkesën tone metabolike.

Si ta zëvendësoni kripën?

Më e mira është të mësoheni me shijen e ushqimeve siç janë, në gjendjen natyrale. Fjala bie, kripa është e padobishme në sallatë, kurse peshku ka kripë në vetvete. Nëse nuk hiqni dot dorë përfundimisht, të paktën rralloni përdorimin e saj. Dhe kjo duhet të vijë gradualisht, në mënyrë që qiellza të mësohet me ushqimet me pak kripë. Është një “riedukim” ose “stërvitje” e shijes. Përpos kësaj mund të përdorni “truke” të vogla në kuzhinë për të përftuar një shije të përafërt me të kripurën, si p.sh. të shtoni në gatime erëza, koncentrate, limon apo uthull.