Konferenca e Kryeministrit Avdullah Hoti pas mbledhjes së Qeverisë

0
166

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka sqaruar vendimet që janë marrë në këtë mbledhje, si dhe u është përgjigjur interesimit të mediave, lidhur me vendimet e sotme të kabinetit qeveritar.

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në këtë konferencë:

Mirëmëngjesi të gjithëve, faleminderit për prezencën!

Po ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj për përcjelljen e aktiviteteve rreth Qeverisë. Kjo është prezenca ime e parë para mediave në cilësinë e kryeministrit në këtë sallë. Ju garantoj se do të kemi një bashkëpunim dhe një transparencë të plotë timen, të ministrave dhe të gjithë kabinetit.

Siç e keni parë, dje kemi filluar besoj me një standard të ri, pra kemi miratuar fillimisht programin e punës së Qeverisë në bazë të ekspozesë dhe besimit që kemi marrë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku janë specifiku obligimet, detyrat, zotimet tona para deputetëve dhe para qytetarëve dhe para partnerëve tanë ndërkombëtarë për këtë Qeveri.

Sot, në ditën e dytë të punës kemi miratuar Rregulloren e organizimit të Qeverisë në përputhje me vendimin e Kuvendit, në përputhje me besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe gjithashtu kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut në përputhje me zotimet që i kemi dhënë para partnerëve ndërkombëtar në këtë drejtim.

Tani, ne presim që të njëjtën gjë të shohim edhe nga pala serbe që të heqin të gjitha pengesat që t’i japim frymë procesit të dialogut, por ne e ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur sovranitetin tonë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Unë i falënderoj të gjithë anëtarët e kabinetit, partnerët e koalicionit për një punë të shkëlqyeshme dje edhe sot në ndërmarrjen e hapave në vendimet që i kemi marrë për të strukturuar punën e qeverisë së re me program qeverisës, me agjendë të qartë të punës ditore, me rregullore të qartë të organizimit tonë të brendshëm dhe me zotimet që i kemi marrë para miqve tanë ndërkombëtarë.

I pyetur se a do të pranoj fillimin e dialogut edhe nëse pala serbe nuk do ta ndaloj lobimin për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Fillimisht urime për marrjen e detyrës. Pyetja ime është kjo, a do të pranoni të fillonit dialogun me Serbinë nëse të njëjtit nuk e ndalojnë lobimin për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës?

Kryeministri Hoti u përgjigj: “Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë që ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi t’i heqin ato pengesa për dialog ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve. Nga sot ne i kemi hequr të gjitha pengesat për një kohë të arsyeshme, i kemi dhënë shans dialogut”.

I pyetur për rendin e ditës dhe vendimet për reciprocitetin dhe për takimin me ambasadorin amerikan. Zoti kryeministër në rendin e ditës që e kemi pranuar e kemi parë që në pikën e tretë bëhet fjalë për shfuqizimin e vendimeve që ndërlidhen direkt me reciprocitetin. Në konferencën këtu para nesh ju thatë që janë pengesa për dialog, në fakt a mund ta sqaroni për cilat vendime që lidhen me reciprocitetin bëhet fjalë më saktësisht dhe një pyetje tjetër a lidhen këto vendime me takimin që keni pasur dje me ambasadorin amerikan Kosnett, ose thënë më mirë çfarë konkretisht keni biseduar në takimin tuaj të parë me një zyrtar amerikan”?

Kryeministri Hoti u përgjigj: “Këto vendime vijnë si rezultat i koordinimit të punës tonë me partnerët tanë ndërkombëtar. Zotimet që kemi marrë, ne si Qeveri është që ne të heqim këto pengesa, t’i japi mundësi procesit të dialogut që, përmes dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet që i kemi në mes të dy vendeve. Edhe në takimin që kisha dje me ambasadorin amerikan, ja konfirmova këtë vullnet të tyre dhe gjithashtu mora zotimin që do të na mbështesin në këtë proces të rëndësishëm. Vendimet që morëm sot i shfuqizojnë disa vendime që janë konsideruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë si pengesë për të ulur të dy palët në tavolinën e dialogut. Dhe, ne tash presim që të dëgjojmë, të marrim konfirmim të njëjtë edhe nga pala tjetër. Janë hequr të gjitha pengesat për dialog për një periudhë të arsyeshme kohore, për t’u ulur në tavolinë të dialogut, dhe nëse dialogu nuk prodhon rezultatet e pritura, ne e ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran dhe të mbështetur edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë që të vendosim të gjitha masat që i lejohen një shteti sovran. Tash më lejoni që të mos jep një datë të saktë, për një kohë të arsyeshme, që mund të jetë çështje mos të them javësh, por çështje muajsh”.

I pyetur se për çfarë pengesash po flisni kur po thoni që presim nga Serbia t’i heqë pengesat, sepse nuk e dimë nëse Kosova ka vënë kushte që të shkojë në dialog, që Serbia t’i ndal p.sh. të ndal fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe pyetja tjetër, qysh e komentoni faktin që jeni zgjedhur kryeministër me një votë ku ka ndikuar direkt presidenti i vendit, sepse e dimë që vota e Haxhi Shalës ju ka bërë kryeministër, dhe ai deklaroi që kjo votë nuk është për ju, por është për Ramush Haradinajn dhe presidentin Hashim Thaçi. Faleminderit?

Kryeministri Hoti u përgjigj: “Për çështjen e parë, ne presim që Serbia të ndalojë fushatën për çnjohje në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës dhe unë pres nga partnerët ndërkombëtar që të bëjnë presionin e nevojshëm karshi Serbisë në këtë drejtim, në mënyrë që të dyja palët të ulën në tavolinën e dialogut.

Sa i përket pyetjes së dytë, unë nuk kam asnjë koment për atë çështje. Unë jam zgjedhur me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe kam legjitimitet të plotë kushtetues për të udhëhequr me Qeverinë Kosovës”.

I pyetur se kur do të hynë në fuqi vendimet e miratuara dhe kush do ta udhëheqë dialogun?
Kryeministri Hoti u përgjigj: “E para vendimet hyjnë në fuqi menjëherë, këto që janë marrë sot në Qeveri, dhe ne menjëherë si palë kosovare jemi të gatshëm të ulemi në tavolinën e dialogut. E dyta, dhe që është trajtuar ndryshe, është referuar ndryshe nëpër media të ndryshme, kryeministri i vendit të bazë të kompetencave kushtetuese e udhëheq procesin e dialogut. Edhe po të doja unë nuk mund t’i transferojë kompetencat e mia kushtetuese as te presidenti e as te askush tjetër.

Unë nuk dua dhe as nuk do t’i transferoj asnjëherë ato kompetenca sepse jemi votuar me një qëndrim të qartë, me një program të qartë që do të marrim përsipër procesin e dialogut.

Dialogu udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës e cila i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe gjithkush tjetër secili bartës i institucioneve i ushtron kompetencat e veta në përputhje me Kushtetutën. Faleminderit shumë”!