Komuna e Podujevës ushtron padi ndaj MEA-së për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandolli

0
152

Ndërtimi i hidrocentralit në lumin Kaçandolli është kundërshtuar nga Komuna e Podujevës. Kjo komunë ka njoftuar se është ushtruar padi ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Sot kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në debatin publik për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandolli në pjesën e Komunës së Vushtrrisë dhe Podujevës.

Në debatin e sotëm me përfaqësues të Kompanisë “Hidrocom” sh.p.k., përfaqësues të komunitetit, grupeve të interesit, anëtarë të ekzekutivit të Komunës së Podujevës, kryetari Bulliqi tha se kompania “Hidrocom” sh.p.k., duke shpërfillur plotësisht vendimet e Komunës, e cila dy herë ka refuzuar ta pajisë këtë kompani me leje mjedisore, ka marrë pëlqim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për realizimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit, në rrjedhën e lumit Kaçandolli, në territorin e Komunës së Podujevës.

“Kompania në mënyrë të njëanshme, duke bashkëpunuar vetëm me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe pa lejen e Komunës së Podujevës, për të cilën është refuzuar dy herë, ka filluar procedurat e realizimit të projektit. Prandaj edhe na ka detyruar neve si Komunë të ushtrojmë padi për ta kundërshtuar formën arbitrare të dhënies së këtij pëlqimi mjedisor nga MEA”, tha Bulliqi.

Nëpërmjet një komunikate për media nga Komuna e Podujevës, ai tha se edhe forma e organizimit të këtij dëgjimi publik, krejt formale dhe pa bashkëpunim me banorët e këtyre fshatrave, është tregues i qartë i përpjekjes për fillim të heshtur të realizimit të këtij projekti, i cili dëmton ambientin-pasurinë natyrore të këtyre fshatrave.

“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë projekt, për të cilin kemi edhe përkrahjen e banorëve të kësaj pjese. Orientimi ynë është që për këto zona të ofrojmë investime që përmirësojnë infrastrukturën dhe nxisin investime në zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe asesi nuk lejojmë projekte që shkaktojnë degradim mjedisor”, shtoi ai.

Edhe përfaqësuesi i fshatit Popovë, Muhamet Murati, në emër të banorëve të fshatrave përgjatë lumit Kaçanoll, tha se në asnjë rast nuk është konsultuar komuniteti dhe shprehu kundërshtimin e tyre për realizmin e këtij projekti, i cili bie ndesh edhe me Strategjinë lokale për zhvillim të turizmit, strategji për të cilën kanë kontribuar këta banorë.

Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë, “Hidrocom” sh.p.k., Adnan Elshani, tha se kompania në fjalë sipas legjislacionit në fuqi ka organizuar këtë debat. Ai deklaroi se pëlqimi mjedisor është marr sipas kritereve të ministrisë.