Kompozitori më i madh i të gjitha kohërave i cili vargun e veprave më të mëdha e kompozoi kur ishte gati i shurdhër

0
226

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 45 me rradhë ka Ludvig Van Bethoven.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXV- Ludvig Van Bethoven

(1770-1827)

Kompozitori më i madh i të gjitha kohërave, Ludvig Van Bethoven, është lindur në vitin 1770 në Bon të Gjermanisë. Talentin për muzikë e shprehu që fëmijë. Krijimin e parë e shfaqi në vitin 1783. Në moshë të re vizitoi Vjenën, ku u njoh me Moxartin. Por kontaktet me të qenë jetëshkurtra. Në vitin 1792, vajti përsëri në Vjenë, ku mësoi pranë kompozitorit të shquar vjenez të asaj kohe, Hajdenit. Moxarti kishte vdekur një vit më parë. Në Vjenë, që ishte kryeqendra e muzikës botërore, Bethoveni qëndroi deri në fund të jetës. Virtuoziteti i jashtëzakonshëm i tij si pianist ka lënë përshtypje të thella: ai arriti suksese të jashtëzakonshme si gjatë shfaqjeve që dha ashtu dhe si mësues. Ai kompozoi shumë. Krijimet e tij gjetën jehonë të shkëlqyer aq sa,që në moshën 25-vjeçare, arriti t’i shesë lehtë te botuesit.

Në moshën 30 vjeç, Bethoveni ndjeu shenjat e para të shurdhimit. Kjo e shqetësoi aq shumë, sa arriti në një çast të tillë psikik që tentoi të vriste veten. Periudha midis viteve 1802 dhe 1815 vlerësohet si më e suksesshmja e krijimtarisë së tij. Nga veshët vazhdonte të rëndohej, ndaj filloi të shkëpuste kontaktet me njerëzit. Kjo krijoi mendimin jo të saktë se Bethoveni ishte mizantrop. Ai pati lidhje intime me disa zonja të reja, por duket që ato përfunduan pa sukses, se ai mbeti i pamartuar. Bethoveni kompozoi me intensitet të madh. Me rrjedhën e viteve, filloi dalëngadalë të shkëputet edhe nga pjesët muzikore që aq shumë i pëlqenin publikut të atëhershëm. Megjithatë, ai vazhdonte të kishte gjithnjë e më tepër sukses. Në moshën 50-vjeçare dëgjimi iu rëndua shumë. Si rrjedhojë e kësaj, u shkëput pothuajse plotësisht nga veprimtaritë koncertore, duke u mbyllur gjithnjë e më tepër në vetvete. Filloi të kompozonte më rrallë një muzikë të re, që kuptohej me vështirësi nga publiku i atëhershëm. Filloi të krijonte vetëm për vete dhe për një farë publiku ideal të ardhshëm. Thuhet që një herë i ka thënë një kritiku,se, ”ato nuk janë për ju,po për një epokë të mëvonshme”. Por, ironisë së tmerrshme të fatit, vuajtjes nga mosdëgjimi, kompozitori më i talentuar i të gjitha kohërave iu përgjigj me përpjekjet mbinjerëzore duke arritur të ruante cilësinë e krijimtarisë. Ky është morali që duhet vlerësuar si një sukses i jashtëzakonshëm. Ai i tejkaloi të gjitha parashikimet: Në vitet e shurdhimit të plotë, jo vetëm që ruajti nivelin e krijimeve të mëparshme, por shkoi edhe më tej. Krijimet e periudhës së fundit të jetës së tij janë vlerësuar nga të gjithë si vargu i veprave më të mëdha. Vdiq në Vjenë në vitin 1827, në moshën 57 vjeçare. Krijimtaria e Bethovenit përfshin: 9 simfoni, 32 sonete për piano, 5 koncerte për piano, 10 sonete për piano e violinë, një varg kuartetesh muzikore të shkëlqyera, muzikë vokale, muzikë për teatër ,etj.,etj. Megjithatë, rëndësia e Bethovenit nuk qëndron te numri i madh i krijimtarisë, por te cilësia e saj. Në krijimtarinë e tij, në mënyrë të shkëlqyer shkrihen ndenjat e fuqishme me struktura të përkryera kompozicionale.

Bethoveni ka qenë kompozitor thellësisht origjinal. Mjaft nga krijimet e tij kanë lënë gjurmë shekullore. Ai rriti numrin e orkestrës , e zgjati simfoninë dhe zgjeroi kuptimin e tyre; demonstroi mundësitë e mëdha për përdorimin e pianos, duke e bërë atë veglën muzikore të shkallës së parë. Bethoveni shënoi kalimin e muzikës nga ajo klasike në atë romantike. Krijimtaria e tij përmban gjithçka, që karakterizon romantizmi. Vepra e Bethovenit ndikoi fuqishëm te shumë kompozitorë të mëvonshëm, që krijuan me stile të ndryshme, siç ishin Bramsi, Vagneri, Shuberti dhe Çajkovski. Bethoveni shtroi rrugën për Berliozin, Gustav Mahlerin, Rikard Shtrausin e shumë të tjerë. Duket qartë, që Bethoveni e meriton vendin në libër përpara të gjithë muzikantëve të tjerë. Përballë saj, që Johan Sebastian Bah përjeton pothuajse të njëjtin prestigj, krijimet e Bethovenit ekzekutohen më shpesh dhe në një publik më të gjerë se ato të Bahut. Veç kësaj, numri i shumtë i veprave të Bethovenit kanë ndikuar më thellë në zhvillimin në përgjithësi të muzikës sesa krijimet e Bahut. Si përfundim, mund të thuhet se idetë politike e morale shprehen më lehtë e më qartë me fjalë e jo me muzikë. Po sipas këtij arsyetimi, edhe letërsia është më ndikuese se muzika. Pikërisht, për këto shkaqe, Shekspiri është klasifikuar pak më lart se Bethoveni, që është figura më e shquar në historinë e muzikës botërore. Por, duke e krahasuar me Mikelanxhelon, e klasifikojmë përpara tij, për arsye se shumica e njerëzve dëgjojnë më tepër muzikën sesa shohin pikturat apo skulpturat. Ndaj, mendojmë se kompozitorët, të marrë në përgjithësi, kanë ndikim më të madh se piktorët dhe skulptorët me nivel artistik të barabartë për nga rëndësia sipas artit të tyre. Për këtë arsye u pa e nevojshme që Bethoveni të klasifikohet në libër midis Shekspirit dhe Mikelanxhelos.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Verner Hajzenberg.