13 vëllimet ‘Anton Çetta’ bëhen pjesë e Bibliotekës së Bavarisë

0
72

Vëllimi 13 pjesësh ‘Anton Çetta’ është bërë pjesë e Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë, ku tashmë ndodhen mijëra libra mbi Kosovën.

“Në mesin e mbi 10.000 librave me temë mbi Kosovën, që kjo bibliotekë bavareze posedon, tanimë hulumtues e studiues të ndryshëm mund të gjejnë edhe një thesar të çmuar të trashëgimisë shpirtërore shqiptare përmes kompletit prej 13 vëllimesh „ Anton Çetta“ të botuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Mynih.

Ky institucion priti Afrim Nurën, konsull i përgjithshëm i Kosovës në Mynih, si dhe të bijën e Çettës, Agatën, e cila i dhuroi këto vëllime të botuara nga Instituti Albanologjik i Kosovës.

“Drejtori Gjeneral i kësaj biblioteke me traditë mbi 460 vjeçare, Dr. Klaus Ceynowa, priti në një takim zyrtar Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Mynih, z. Afrim Nura të shoqëruar nga znj. Agata Çetta (vajza e prof. Anron Çettës). Në këtë rast u realizua ideja por edhe dëshira e znj. Çetta për dhurimin e vëllimit prej 13 veprash „Anton Çetta“ kësaj biblioteke, duke e përjetësuar kështu në këtë bibliotekë të përmasave botërore prof. Anton Çetta”.

“Kërkesa e Konsullit të Përgjithshëm z. Nura për bashkëpunim në mes të Bibliotekës Shtetërore Bavareze dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nga Dr. Ceynowa u pranua me kënaqësi.

Nga tani Biblioteka Kombëtare e Kosovës i ka dyert e hapura për vendosje dhe konkretizim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në shkëmbim të personelit, të koleksioneve, digjitalizim, restaurim e konservim, por edhe në organizime të përbashkëta të promovimeve dhe ekspozitave të ndryshme kulturore dhe shkencore”.