Komisioni i Ndihmës Shtetërore konstaton se masa e ndihmës për ANP nuk përbën ndihmë shtetërore

0
62

Komisioni i Ndihmës Shtetërore në takimin e rregullt më datë 21.05.20 ka vendosur që masa e ndihmës “Programi nxitës 2020/2022 për kompanitë ajrore që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” , e njoftuar për shqyrtim dhe vendim nga Ministria e Financave dhe Transfereve dhe Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) – NUK PËRBËN NDIHMË SHTETËRORE – në kuptimin e Ligjit 05/L-100 për Ndihmën Shtetërore, neni 3 (1.1), duke qenë se nuk përmbushë kriteret në kumulativ, dhe rrjedhimisht nuk i nënshtrohet parimit të përgjithshëm të ndalimit (vendimi nr. 09/2020).
Programi nxitës i ANP është i dizajnuar dhe do të menaxhohet nga burimet e operatorit privat “Limak Kosova International Airport” për periudhën 2020-2022, duke ofruar zbritje në tarifat e rregulluara aeronautike për të gjitha aviokompanitë që operojnë ose synojnë të operojnë në ANP, që plotësojnë kriteret, dhe të cilat i) do të hapin destinacione të reja, ii) shtojnë numrin e frekuencave, iii) shfrytëzojnë shërbimet e trajtimit të kufizuar tokësor si dhe iv) stacionojnë së paku një aeroplan në Prishtinë.
Programi në tërësi ka për qëllim të ndajë rrezikun financiar me kompanitë ajrore gjatë vendosjes së destinacioneve të reja dhe rritjes së numrit të frekuencave, të cilat të kombinuara do të ndikojnë në rritjen e numrit të udhëtarëve nga dhe për në ANP. Sipas një vlerësimi të këtij të fundit, numri i pasagjerëve shtesë, për periudhën sa ky program nxitës të zbatohet (2020/22), do të jetë 733,934 .
Komisioni ka marrë këtë vendim pasi ka vlerësuar se qëllimi i programit nxitës është rritja e të hyrave të ANP, dhe rrjedhimisht të hyrave të Shtetit si pronar i pasurisë/asetit, në mënyrë proporcionale – të kthyera përmes tarifës koncesionare. Kësisoj, Komisioni ka përjashtuar përfshirjen e burimeve shtetërore në masën e njoftuar të ndihmës.
Vendimi i Komisionit, gjithashtu, bazohet në konstatimin se masa e ndihmës nuk është e natyrës selektive sepse programi nxitës është i ofruar drejt të gjitha kompanive ajrore komerciale, pa asnjë diskriminim, përfshirë kompanitë ajrore që veprojnë ose kanë për qëllim të fillojnë operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, dhe që i plotësojnë të gjitha kriteret e përshkruara në këtë program, të cilat janë të karakterit të përgjithshëm.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore, në bazë të Ligjit për Ndihmën Shtetërore është organi i pavarur vendimmarrës për kontrollin e ndihmës shtetërore në Republikën e Kosovës. Vendimet e KNSH janë të qasshme në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës