Komisioni Evropian i dhuron mbi 11 milionë euro Kosovës

Ministria e Financave njoftoi se sot ka pranuar prej Komisionit Evropian shumën prej 11,499,970.00 euro si mbështetje direkte buxhetore.

Zyra e Informimit të kësaj ministrie thotë se ky është shpërblim për punën e madhe për të vendosur dhe mbajtur një stabilitet makroekonomik të vazhdueshëm të vendit, duke zbatuar me sukses dhe profesionalizëm politika kredibile makro-ekonomike të orientuara drejt stabilitetit.

“Menaxhimin e suksesshëm të financave publike përmes implementimit me përpikëri të programit dhe strategjinë për përmirësimin e menaxhimit të financave publike si dhe në të njëjtën kohë duke e rritur transparencën buxhetore për të gjithë të interesuarit duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe ka implementuar me sukses Strategjinë për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike të Kosovës 2016-2020 dhe Modernizimit të Administratës Publike”, thuhet në komunikatë.

Të gjitha këto detyra nga kjo ministri thonë se janë vlerësuar pozitivisht nga ana e Komisionit Evropian, ku është çmuar puna që është bërë edhe në ruajtjen e stabilitetit makrofiskal të vendit duke përfshirë edhe respektimin e rregullave fiskale të parapara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.“Për këto arsye sot shteti i Republikës së Kosovës në aspektin financiar qëndron më së miri që ka qëndruar ndonjëherë në të gjithë parametrat e tij”, përfundon komunikata.