Komisioni Europian ka ekzekutuar 50 milionë euro ndihmë për Kosovën

0
126

Komisioni Europian, në emër të BE-së, ka ekzekutuar 50 milionë euro të programit të Asistencës Makro-Financiare (AMF) për Kosovën.

Asistenca Makro-Financiare (AMF) është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me vendet fqinje dhe ato të zgjerimit, dhe qëllimi i saj është të përdoret si instrument i jashtëzakonshëm i BE-së për reagimin ndaj krizave.

Fondet e AMF-së vihen në dispozicion në formën e kredive afatgjata me kushte shumë të favorshme. Fondet e AMF-së do të kontribuojnë për rritjen e stabilitetit makroekonomik dhe për krijimin e hapësirës për alokimin e burimeve për zbutjen e pasojave të rënda negative socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

“Më 30 korrik 2020, në emër të BE-së Komisioni ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MM) me Kosovën, i cili vlen deri në 100 milionë euro dhe është i ndarë në dy këste të barabarta prej 50 milionë eurosh”.

“Për marrjen e këstit të dytë të ndihmës, në Memorandumin e Mirëkuptimit u dakorduan nëntë kushte politike, d.m.th. masat duhet të adresojnë financat publike dhe stabilitetin financiar, papunësinë e të rinjve, si dhe qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit. Përmbushja e veprimeve të politikave do të vlerësohet para disbursimit të këstit të dytë që mund të paguhet në gjysmën e parë të vitit 2021, varësisht nga shpejtësia me të cilin Kosova i zbaton masat e dakorduara të politikave”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë./KlanKosova