Kombëtarja e Kosovës dhuron 25 mijë euro për humanizëm

0
154

Kombëtarja e Kosovës për një kohë të shkurtër pas daljes në arenën ndërkombëtare ka arritur t’i fitojë zemrat e të gjithë popullit dhe është bërë storie suksesi.

Me djemtë Dardanë tashmë ndihen krenarë të gjithë.

Ata janë shembull se si duhet përfaqësuar vendi dhe kombi, qoftë me paraqitjen e tyre në fushën e gjelbër, qoftë me kulturën e lartë sportive. Mirëpo, përveç talentit dhe vlerave të tyre në futboll, ata, veçohen edhe për humanizëm të madh.

Së fundmi, Kombëtarja e Kosovës ka ndarë 25 mijë euro për shoqatën humanitare “Jetimat e Ballkanit”, donacion nga i cili një familje në nevojë do të bëhet me shtëpi të re, derisa do të shtrohet edhe një darkë për fëmijët jetimë.

Ky donacion humanitar i djemve Dardanë ka ardhur me idenë e futbollistëve, e që është mbështetur edhe nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe i gjithë stafi i Kombëtares.

Ky donacion njëherësh është shenjë falënderimi për mbështetjen e madhe që djemtë e Kombëtares kanë pasur nga i gjithë populli si në ndeshjet e Ligës së Kombeve, ashtu edhe në kualifikimet për Euro 2020.