“Kjo marrëveshje është qesharake, fals, joserioze dhe e shkruar nga ‘dikush’ që ose nuk i ‘lidhet’ sintaksa, ose s’i bën hesap për njerëz shqiptarët e serbët”

0
95

Nga Kimete Berisha

– Avdullah Hoti sot ka pranuar, që hatri i serbëve, shqiptarët të mos lobojnë më për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Nuk është turp për Serbinë që ta ndërpres fushatën për çnjohjen e Kosovës, turp është për Kosovën që të mos lobojë për njohjen e vetvetes.

– Avdullah Hoti sot ka pranuar që ta ndajë Ujmanin me Serbinë, si ‘pasuri’ e përbashkët.

– Abdullah Hoti ka pranuar që të mos përmenden krimet e Serbisë dhe gjenocidi në Kosovë, por të merret me holokaustin (si hakmarrje e Grenellit ndaj Gjermanisë), duke qenë shqiptarët i vetmi popull në botë që ka strehuar dhe ka shpëtuar hebrenjtë.
Çfarë e lidh Kosovën me holokaustin??

– Avdullah Hoti ka shkuar të pajtohet me Serbinë, por është ‘pajtuar’ me Izraelin.
Anipse marrëveshja ekonomike, ‘pajtimi’
me Izraelin ishte ‘politik’.
Izraeli në fakt u ‘pajtua’ me myslimanët e Kosovës, me të cilët u dashka ‘pajtim’ veç pse janë myslimanë, anipse kurrë asnjë problem nuk e ka pasur me ta.
Përkundrazi, veç simpati.

Presidenti Donald Trump e ‘shiti’ marrëveshjen si ‘stabilizim të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Izraelit’, thuajse ka pasur Kosova ndonjëherë problem me Izraelin.

Kosova ‘prezantohet’ si shtet mysliman dhe myslimanizmi ‘edhe një herë’ shfrytëzohet nga perendimi si ‘fakt’ për ta ‘dëshmuar’ dashninë perënsimore për myslimanët.
Shqiptarët myslimanë ësshtë lehtë m’i dasht, sepse ‘fenë e kanë folklor’.

Kosova paraqitet si ‘rast i rëndë’, dhe qytetarët nuk prezantohen si shqiptarë por si myslimanë.
Thuajse me qenë myslimanë i mirë është ‘gati e pabesueshme’.
Grenelli e ka zbuluar myslimanin e mirë në Kosovë që e pranon dhe e bën kabull Izraeli.

Netanjahu e ‘bleu’ dhe e shfrytëzoi marrëveshjen (ku s’është nënshkruar vetë, por për ta është nënshkruar Serbia), si ‘mall’ fetar, që zgjedh problemin mes hebrenjëve dhe myslimanëve shqiptarë, gjë që s’është e vërtetë, sepse marrëveshjen e arriti me qeverinë e Kosovës e jo me bashkësinë islame.
Kosova nuk është teokraci.

Por ju jeni plakur.
Veç një mendje e plakur kujton se bën alkimi me tema të mëdha, dhe e ‘shet’ Avdullahun për mysliman.

Demek, krejt Amerika u çu në këmbë m’i bind Kosovën myslimane me çel ambasadë në Jerusalem.
E, kush i ‘ha’ këto fora?

E vërteta është që Kosova e ka lutur Izraelin kah u rrotullu që të na pranojë si shtet.

E mira e së mirës që realiteti është edhe më i keq se marrëveshja e sotit.
Në realitet përnjëmend gjysma e Trepçës shfrytëzohet nga serbët, gjysma ku me ditë nga kush (s’guxon njeri as me pyet) i perëndimit.

Qeveria varet nga Lista Serbe, lëre më autostrada.
Nuk mund të jetë ndërtimi i autostradës dhe qarkullimi i trenave më ‘i keq’ sesa Kosova e varur nga Lista Serbe.

Kjo marrëveshje është qesharake, fals, joserioze dhe e shkruar nga ‘dikush’ që ose nuk i ‘lidhet’ sintaksa, ose s’i bën hesap për njerëz shqiptarët e serbët.
Sepse e quajnë ‘marrëveshje ekonomike’, por kryefjala e marrëveshjes janë myslimanët.

Marrëveshja e konsideron ‘fenë myslimane’ si çështje ‘ekonomike’.

Donald Trump e ka shfrytëzuar ‘fenë islame’ të shqiptarëve për ta ‘forcuar’ Izraelin.
Kurse Serbinë e ka shfrytëzuar si ambasadë të Izraelit dhe e ka qerasur ‘pak’ me ujë e ‘pak’ me rrymë.

Asgjë nuk ka fituar sot Kosova nga kjo ‘marrëveshje’.
Serbia ka fituar Ujmanin. E të tjera.
Dhe kush s’ka kërkuar nga Serbia bash asgjë, as t’i pranojë krimet ekonomike dhe shkatërrimin e sahtëpive, fabrikave, shkollave, dyqaneve e xhamive të shqiptarëve.

Marrëveshja e Presidentit Donald Trump edhe ‘homoseksualët’ i konsideron si fabrikë, për ‘zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Serbisë’.

Të guxosh ta nënshkruash marrëveshjen pa e lexu, kjo është trimni e Avdullah Hotit, e jo si Ramushi që e ka zanat tek mbasi të arrihet marrëveshja ‘s’pajtohet me të’.

S’ke me çka m’u pajtu as mos m’u pajtu.
S’ka marrëveshje.
Jashtë saj, Serbia po i kthen në Kosovë serbët që kurrë s’kanë qenë në Kosovë, u ka ndërtuar shtëpia në veriun e vendit, shumica e pronave të shqiptarëve në Veri janë blerë nga qeveria serbe, kurse nga Lugina ikin shqiptarët.

Avdullah Hoti nuk ka nënshkruar asgjë që nuk ndodh në realitet.
Ashtu siç Kosova e pavarur e ka qeverinë e varur nga Lista Serbe me të cilën e ndan politikën, ashtu Avdullahu me buzëqeshje e ndan edhe Ujmanin.

Sepse, edhe pa marrëveshje e ndan.
S’ka pasur nevojë gjithë ky mastraf për t’u arritur një marrëveshje më e ‘butë’ se realiteti.

Edi Rama, tani për tani politikani më neveritës që ekziston, tha se s’bëhet fjalë për ‘tradhti’ burra, por për ‘mini shengen’.
Edhe?
Problemi është se në marrëveshje s’bëhet fjalë për kurrgjë hiç në interes të shqiptarëve.
Shqiptarët ia panë hairin veç ‘fesë’ së tyre.

Marrëveshjet vazhdojnë.

P.S. Para se m’u marrë vesh me këdo qoftë, Amerika kish qenë mirë m’i detyru me bë marrëveshje shqiptarët me shqiptarët, që mos me shkatërru bash kaq tmerrësisht Kosovën, se kështu siç jemi nuk kemi nevojë për armiq të jashtëm të na shkatërrojnë, Kosova po shkatërrohet nga vetvetja, nga udhëheqësia e saj.

Qeveritë shqiptare baras me Serbisë e kanë dëmtuar popullin e Kosovës.
Serbia na e ka shkatërruar të kaluarën, qeveritë e Kosovës të ardhmen.