Kjo fjalë nuk ekziston për Gattuson

Gennaro Gattuso njihet si njëri nga futbollistët më temperamentë që ka pasur Italia. I tillë ka mbetur edhe tani kur po e drejton Milanin, detyrë kjo që iu besuar rreth një vit më parë. Rino, siç njihet ish-mesfushori italian ka arritur që deri diku ta përmirësojë lojën dhe rezultatet e Milanit dhe tani kuqezinjtë janë vetëm një pikë larg zonës që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Kuqezinjtë nesër luajnë me Parma, ndërsa Gattuso e pranon që jo vetëm para kësaj ndeshjeje, por asnjëherë nuk e gjen qetësinë e duhur. “Bëj si i qetë, por ajo fjalë nuk ekziston në fjalorin tim,” shprehet Gattuso në konferencën e shtypit. “Jetoj njësoj siç jetoja kur isha futbollit. Kaloj shumë orë duke punuar. Shpresoj të përmirësohem. Thonë se duhet të fitoj eksperiencë teksa rritem, do të jem 41 vjeç më 9 janar. Shpresoj të përmirësohem në leximin e ndeshjes dhe për mënyrën se si përgatitet”, ka shtuar Gattuso.