Kjo është pasuria e Liqenit të Badovcit

0
1915

Liqeni i Badovcit është liqen artificial dhe është ndërtuar në vitet 1963-1966. Liqeni gjendet në pjesën juglindore të Prishtinës. Liqeni i Badovcit ka një gjatësi prej 4.6 kilometra, gjerësi maksimale 800 metra, thellësia maksimale është 30 metra dhe zë një hapësirë prej 109 km2.

Për shkak të natyrës liqeni i Badovcit është ideal për kampingje dhe për fundjavë me familje.

Ky liqen është i pasur me florën dhe faunën dhe është vend i njohur me laramanin dhe shumëllojshmërin e peshkut ku gjithashtu mundeni dhe të peshkoni.

Ndërsa Qenan Maxhuni, ekspert i biodiversitetit për motilokal.com tregon për pasurinë që ka ky liqen.

Ai tha se gjatë një hulumtimi të realizuar në Liqenin e Badovcit në vitin 2012 janë evidentuar gjithsej 16 lloje peshqish që u përkisnin 6 familjeve.

Sipas tij numri më i madh i llojeve i takon familjes Cyprinidae (11), ndërsa secila nga 5 familjet tjera përfaqësohet me nga një lloj të vetëm.

“Hulumtimet e mëhershme të realizuara në Liqenin e Badovcit tregojnë se bazuar në parametrat fizikë dhe kimik ky liqen mund të kategorizohet në klasën oligosaprobe drejt asaj mesosaprobe të ekosistemeve të ujërave të ëmbla dhe si i tillë ofron kushte relativisht të mira për faunën e peshqve”, u shpreh Maxhuni.

Maxhuni theksoi se gjatë numërimit të zogjve të ujërave i realizuar nga ana e Institutit për Mbrojtjen e Natyrës në vitin 2019 dhe 2020 si dhe fotografët nga Wildlife Albanian Photographer përveç karabullakut (Phalacrocorax carbo), rosës së egër (Anas platyrhynchos), qapkës se përhimët (Ardea cinerea) etj. është konstatuar për herë të parë prania e shqiponjës peshkngrënëse (Pandion haliaetus).

“Vitin e kaluar po ashtu për herë të parë në këtë liqen është fotografuar lloji grabitqar lundërza (Lutra lutra) e cila është në kuadër të kategorizimit të rrezikshmërisë së llojeve sipas listës së Unionit Ndërkombëtarë për Konservimin e Natyrës (IUCN) ka statusin e llojit afër rrezikimit”, deklaroi Maxhuni.