KFOR-i dhuron tabela të bardha interaktive për sistemin shkollor multietnik në Shtërpcë

0
51

Ushtarët e KFOR-it të Komandës Rajonale Perëndim dorëzuan gjashtë tabela elektronike interaktive, gjashtë video-projektorë dhe gjashtë laptopë në Shkollat e Shtërpcës, në Jug të Kosovës. Projekti i financuar nga NATO do të përmirësojë kushtet dhe aftësitë e sistemit lokal arsimor të përbërë nga gjashtë shkolla fillore dhe të mesme, ku marrin pjesë 2.000 nxënës që i përkasin katër grupeve etnike të Kosovës. Ushtarët italianë dhe polakë përfunduan së bashku projektin, i cili ishte iniciuar nga Ekipi i Bashkëpunimit Civil-Ushtarak i Shtabit qendror të KFOR-it.

Përurimi i njërës prej tabelave të bardha interaktive u zhvillua në shkollën “Staja Markoviç” në Shtërpcë, dhe u ndoq nga Komandanti i Komandës Rajonale të KFOR-it Perëndim, kolonel Gianluca Figus, së bashku me drejtorët e gjashtë shkollave që do të përfitojnë nga donacioni. Në inaugurim morën pjesë gjithashtu shumë nxënës dhe patën mundësinë të provojnë pajisjet e reja.

Srdjan Ivanoviç, zv.drejtori i një shkolle të mesme, theksoi se “pajisjet elektronike të marra sot do të lehtësojnë mësimin në internet që shkollat tona po implementojnë për të përballuar pandeminë Covid19, dhe gjithashtu do të mundësojnë një rritje të standardeve tona arsimore drejt niveleve evropiane”. Ganimete Xhemajli – drejtoreshë e një shkolle fillore – shprehu kënaqësinë e saj për donacionin që me gjasë do të shfrytëzohet nga nxënësit e saj në shtator.

Kolonel Figus në fund ritheksoi angazhimin e paanshëm të KFOR-it për të mbështetur të gjitha institucionet në Kosovë që punojnë për bashkëjetesë dhe bashkëpunim midis të gjitha grupeve etnike, me fokus të veçantë në edukimin e brezave të rinj.