“Këtu s’do jem do jem larguar, në tokë i tretur si të tjerët”

0
588

Këtu s’do jem do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrije i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do me kesh në dhome të gjallë
Dhe kur në xham të fryj erë
Do qash me erën dalëngadalë.

Por kur të jesh merzitur shumë
Në raft të librave kërkom
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do të zbres do të vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshësh
Si një blerim pas nje rëkeje.

– poezi nga Dritero Agolli