Këta janë sportistët kosovarë që fituan bursa

0
35

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në një ceremoni ka bërë ndarjen e bursave për shpresat olimpike për vitin 2019, njofton OxygenPress.

Ministri Kujtim Gashi ka bërë ndarjen e vendimeve të bursave pas propozimeve nga federatat përkatëse dhe rekomandimeve nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ku sportistët përfitues të bursës do të marrin nga 150 euro, pagesë e cila realizohet në bazë mujore për një vit kalendarik.

Përfituesit e bursës janë: Albina Deliu-atlete, Arbi Pupovci-skitar, Arlind Selimi-mundës, Betim Maliqi-karateist, Dren Ukiemraj-notar, Erza Muminoviq-xhudiste, Fatih Karabaxhaku-pingpongist, Muhamet Ramadani-atlet, Patriot Behrami-boksier dhe Shpat Zeka-xhudist.

Ministri Gashi tha se ndarja e këtyre bursave është vetëm njëra prej mënyrave të përkrahjes për sportistët, e sidomos të atyre që po arrijnë ta përfaqësojnë vendin denjësisht edhe në garat jashtë vendit.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se këto bursa do të jenë motivim për shpresat olimpike që të punojnë dhe t’i sjellin vendit rezultate.

“Është shumë simbolike, por duke u nisur nga mosha e tyre, unë besoj që ata do të përparojnë dhe me rezultatet e tyre do të rritet edhe më tutje mbështetja për ta”, tha ai./OxygenPress.info