Këta janë rojet e çuditshme të Kremlinit

Quhet “Alpha” dhe ngrihet mbi kubenë e artë të Kremlinit, duke mbjellë panik mes sorrave që tentojnë të ulen në pemët përreth.

Skifteri me krahë të shkurtër është vetëm njëri prej një dyzine zogjsh grabitqarë që “mbrojnë” selinë e pushtetit të presidentit Vladimir Putin në Moskë.

Turma të shumta fluturakësh mblidhen në kopshtin “Tainitsky” brenda mureve me tulla të kuqe të Kremlinit, tentojnë të kërcejnë nga pema në pemë dhe fluturojnë në hapësirën ajrore të Kremlinit.

Por, mjafton të lëshohet në “mision” grabitqari femër, 20-vjeçar, “Alpha”, sikurse edhe “kolegu” i saj “Filya”, që i përafrohet një shqiponje, dhe “të huajt e paftuar” largohen brenda pak sekondash nga selia e pushtetit rus.
“Synimi ynë nuk është që t’i heqim qafe shpendët e tjerë, por vetëm t’i trembim e t’i largojmë, në mënyrë që ata të mos arrijnë të krijojnë strehë këtu, të mos ndërtojnë fole”, thotë për AFP-në 28-vjeçari Alexei Vlasov, një prej trajnuesve skifterësh, me veshje speciale, nga shërbimi ornitologjik i Kremlinit.

Njësia speciale e ngritur në vitin 1984 ka rreth një dyzinë zogjsh, përfshi këtu skifterë dhe një fajkua “peregrine”. Ajo është pjesë e Shërbimit Federal të Gardës.

Detyra e grabitqarit është të mbrojë Kremlinin, një nga fortesat më të vjetra mesjetare në Europë, që ka shërbyer si seli e carëve, udhëheqësve të ish-Bashkimit Sovjetik, e tashmë presidentëve rusë, e që është pjesë e Trashëgimisë Botërore të mbrojtur nga UNESCO.

Shpendët fluturues “mund të transmetojnë një numër të caktuar sëmundjes që janë potencialisht të rrezikshme për shëndetin e njerëzve”, sikurse “mund të dëmtojnë kubetë e arta duke i çukitur e duke shkaktuar vrima në to”, thotë Vlasov, teksa mban në duart e tij “Alphën”.

Personi që kujdeset për këtë njësi speciale thotë se ato mund të bëhen edhe “shqetësuese apo agresive” në bashkëveprim me njerëzit.