Kërkohet zvogëlimi i numrit të zëvendësministrave dhe zbatimin e LBGj-së

0
53
Arkiv
Arkiv

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh pakënaqësi dhe shqetësim lidhur me moszbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj) me rastin e emërimit të zëvendësministrave nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Kjo qeveri deri tash ka emëruar 46 zëvendësministra, madje në disa ministri janë nga pesë zëvendësministra. Megjithatë, edhe kësaj radhe vërehet numri tejet i vogël i grave të emëruara. Sipas raportimeve nga mediat, vetëm tetë nga 46 zëvendësministra janë gra. Përkthyer në përqindje i bie që vetëm 17,4% e këtyre posteve u takojnë grave.

Ky numër i vogël bie direkt ndesh me LBGj-në, ligj ky i cili garanton barazi ndërmjet gjinive (50/50), si kusht i zhvillimit të një shoqërie demokratike ku burrat dhe gratë kanë mundësi krejtësisht të barabarta në sferën politike dhe atë publike. Pavarësisht numrit të përgjithshëm të zëvendësministrave, RrGK kërkon nga qeveria që të zbatojë këtë ligj dhe po ashtu që marrëveshjet politike të mos paraqesin rrezik për të mirën e përgjithshme.

Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK parashtron dy kërkesa, si në vijim:

· Të zvogëlohet numri i zëvendësministrave, pasi kjo çon në shpërdorim të parasë publike kur qartazi duket që kemi të bëjmë me akomodim të militantëve politik,

· Të ketë përfaqësim të barabartë gjinor 50/50 në postet e zëvendësministrave.

RrGK me punën dhe aktivizmin e bërë që nga themelimi, përpiqet për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, si dhe jetojnë një jetë pa dhunë. Prandaj, në përputhje të plotë me këtë vizion, RrGK përgjatë gjithë mandatit udhëheqës të kësaj qeverie do të kërkojë llogaridhënie publike dhe transparencë të plotë për punën e ekzekutivit që ndikon në realizimin e këtyre objektivave jetike për mirëqenien e të gjitha grave në Kosovë.