Kërcënohet një rojtar në Parkun Kombëtar “Sharri”

0
133

Një rojtar në Parkun Kombëtar  “Sharri” është kërcënuar nga një person me inicialet B.G nga Prizreni.

Policia e Kosovës është njoftuar për rastin, ndërkohë që Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka dënuar këtë kërcënim, dhe shantazhe të tjera, që sipas tyre po u bëhen rojtarëve dhe zyrtarëve të DAPK “Sharri”.

Gjithashtu, AMMK kërkon nga organet e drejtësisë të mirren me raste të tilla.

Ky është reagimi i AMMK:

22.01.2019- Gjatë ditës së vikendit në kuadër të kryerjes së aktiviteteve rutinë në terren bazuar në Planin e Punës një ekip i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtare “Sharri”, ka realizuar një vizitë në zonën e Gurit të Zi.

Qëllimi i vizitës ishte parandalimi i prerjeve dhe gjuetisë ilegale që kohe pas kohe janë evidente në këtë zonë, e sidomos gjatë ditëve të vikendit. Kontrolla e terrenit ka zgjatur nga ora 05.00 e mëngjesit deri ne ora 10.00 dhe gjatë kësaj kohe nuk është vërejtur ndonjë aktivitet ilegal.

Pas kthimit nga tereni në orët e mbrëmjes një nga rojtarët e natyrës, që ishte pjesë e ekipit të kontrollit të terrenit ka pranuar një thirrje telefonike nga një person me inicialet B.G. nga Prizreni i cili pa asnjë arsye ka kërcënuar rojtarin e natyrës.

Në lidhje me rastin është informuar Policia e Kosovës të cilët janë duke hetuar rastin.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dënon ashpër kërcënimet, sulmet apo shantazhet që po bëhen ndaj rojtarëve dhe zyrtarëve tjerë të DAPK “Sharri”, dhe kërkon nga organet e drejtësisë që të merren masa ndaj këtyre personave.

Njëkohësisht kërkohet nga institucionet përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës, që me qëllim të ruajtjes së resurseve të Parkut Kombëtare “Sharri” që është shpallur me ligj të veçantë për mbrojtjen e këtyre vlerave të rralla të natyrës, të analizojë mundësinë e rritjes së numrit të rojeve të natyrës, pajisjen e tyre ma armë dhe kompensimin e rrezikshmërisë në punë.

Ky nuk është rasti i parë i kërcënimit ndaj rojtarëve të natyrës së DAPK “Sharri”.

Muaj më parë ka pasur një sulmi ndaj rojtarëve të natyrës të PK “Sharri” në regjionin e Suharekës, ku rojet Jemin Shala dhe Ali Dakaj, janë sulmuar fizikisht nga grupe të organizuara dhe kanë marrë lëndime trupore.

Po ashtu gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe gjuajtje me armë zjarri në drejtim të rojeve të natyrës në regjionin e Kaçanikut.