Këpuca e Artë, për herë të pestë te Messi

Për herë të pestë në karrierë, sulmuesi argjentinas, Lionel Messi është fitues i çmimit “Këpuca e Artë”, që i ndahet golashënuesit më të mirë në ligat evropiane.

Në edicionin e kaluar, ylli i Barcelonës i ka shënuar 34 gola dhe tani e ka kaluar edhe Cristiano Ronaldon, i cili këtë çmim e ka fituar katër herë.

Messi nuk shkëlqeu në Kupën e Botës, por krejt ndryshe ishte me Barcelonën, duke e ndihmuar ta fitojë titullin e kampionit në La Liga. Messi e ka fituar këtë trofe në sezonet 2009-2010 (34 gola), 2011-2012 (50 gola), 2012-2013 (46 gola), 2016-2017 (37) dhe tani 2017-2018 (34 gola). 31-vjeçari është golashënuesi më i mirë në histori të Barçës, me 572 gola në 655 ndeshje.

“Këpuca e Artë” ndahet nga “European Sports Media”, një shoqatë e gazetave dhe revistave evropiane të sportit. Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah ishte i dyti me 32 golat e tij në Premierligë.