KE dhe Kosova diskutojnë për ekonominë, statistikat dhe reformat strukturore

0
125

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoritetet e Kosovës mbajtën takimin e Nënkomisionit të dytë të MSA-së për Ekonomi, Çështje Financiare dhe Statistika më 19 shtator 2018 në Prishtinë. Takimi u përqëndrua në ekonomi, çështje financiare, statistika dhe kontrollin financiar. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të Agjendës përkatëse të Reformave Evropiane dhe prioriteteve të Programit të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i Komisionit për Kosovën.

Përfaqësuesit e Komisionit dhe të Qeverisë së Kosovës diskutuan një numër fushash të politikave, duke përfshirë zhvillimin makroekonomik të Kosovës, politikat fiskale dhe financiare, reformat strukturore dhe zhvillimin e sektorit privat, sistemin statistikor dhe kontrollin financiar. Fillimisht, Komisioni theksoi rëndësinë e zbatimit të Konkluzioneve të Përbashkëta të miratuara së fundmi për Programet e Reformës Ekonomike 2018-2020.

Në fushën e politikave ekonomike dhe fiskale, u diskutuan zhvillimet kryesore ekonomike duke përfshirë rritjen e BPV-së, inflacionin, tregun e punës dhe konkurrencën e jashtme. Ndërkohë që rritja ekonomike e Kosovës është mbajtur mirë në vitin 2017, 3.7% të BPV-së, përshpejtimi i vazhdueshëm i parashikuar i rritjes së BPV-së së Kosovës mbi mesataren historike meriton një vështrim më nga afër. KE bëri thirrje për t’i marrë parasysh më mirë trendet ekonomike globale, veçanërisht perspektivën e rritjes në BE, të cilat mund të kenë pasoja për një ekonomi të vogël si Kosova. Disbalanci i lartë tregtar dhe mbështetja në hyrjen e remitancave të punëtorëve e bëjnë ekonominë të cënueshme ndaj ndryshimeve në mjedisin e jashtëm. Kosova gjithashtu ka nevojë të forcojë bazën e saj të prodhimit, në mënyrë që të ketë përfitime të plota MSA-ja.

Qeveria paraqiti perspektivën për politikat fiskale, duke pasqyruar parashikimet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH). Pala e BE-së nxit që të finalizohet reforma e vonuar e skemës së përfitimeve të ndërlidhura me luftën dhe shprehu rezerva të forta rreth modelit të diskutuar aktualisht të pensioneve për arsimtarët e periudhës para vitit 1999, si dhe iniciativat e tjera jo-kontribuese. Pala e BE-së theksoi mbështetjen e saj për reformën e administratës publike në Kosovë, megjithatë, theksoi rëndësinë e mbajtjes së kostos së reformës në nivel që mundëson ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale dhe adresimin e pabarazive të pazgjidhura. Në këtë kontekst, Komisioni rikujtoi nevojën e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal duke respektuar kufijtë e shpenzimeve dhe të deficitit të paraparë nga rregullat fiskale.

Autoritetet paraqitën gjendjen e reformave strukturore kryesore në sektorë të tillë si shëndetësia, administrata publike, reforma e pensioneve dhe privatizimi. Sa i përket reformës së pensioneve, pala kosovare ndau planet e tyre për miratimin e një ligji të ri gjithëpërfshirës për pensionet e financuara nga shteti, pas shqyrtimit të të gjitha skemave ekzistuese të pensioneve dhe iniciativave të reja specifike për kategoritë e veçanta, të cilat u mirëpritën nga ana e BE-së. Komisioni mori parasysh progresin e bërë në reformat e tjera strukturore, por theksoi nevojën për të adresuar çështje të ngutshme, siç është gjendja në tregun e punës, informaliteti gjerësisht i përhapur, sundimi i ligjit, furnizimi me energji  që janë fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për reforma. Pala e BE-së theksoi se nxitja e zhvillimit të sektorit privat, forcimi i produktivitetit dhe krijimi i vendeve të punës duhet të udhëheqin agjendën e reformave në Kosovë.

Në fushën e statistikave, Komisioni vuri në dukje nevojën për të miratuar ndryshimet në Ligjin për Statistikat duke siguruar pavarësinë profesionale të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Gjendja e burimeve për prodhimin e statistikave zyrtare në Kosovë u diskutua edhe në lidhje me kërkesat e të dhënave dhe afatet e tyre kohore. Diskutimi u përqëndrua gjithashtu në kërkesën për të forcuar llogaritë kombëtare, dhe për këtë qëllim edhe statistikat e biznesit. Mbledhja efikase dhe publikimi i statistikave është prioritet për politikat e bazuara në dëshmi. Komisioni theksoi nevojën për të ndjekur përgatitjet e nevojshme për Regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, veçanërisht lidhur me metodologjinë dhe ndarjen e fondeve të nevojshme.

Në fushën e Kontrollit Financiar u diskutuan zhvillimet e fundit në Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik. Është theksuar se vëmendja duhet t’i kushtohet sigurimit të një sistemi gjithëpërfshirës të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik dhe Menaxhimit të Financave Publike dhe Reformave të Administratës Publike. Komisioni nënvizoi nevojën për të siguruar një përcjellje më sistematike dhe zbatim me kohë të rekomandimeve të auditimit të jashtëm.

Takimi u bashkëkryesua nga Ministria për Integrime Evropiane dhe Drejtoritë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe ajo për Fqinjësi dhe Nogociata të Zgjerimit.

Informata mbu sfondin

  • Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës që të diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.
  • Takimet e Komitetit të SA dhe të nën-komitetit bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime përcjellëse bashkërisht të përcaktuara të cilat do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Konkluzionet nga takimet janë të disponueshme në faqen e internetit të Zyrës së BE-së në Kosovë (https://eeas.europa.eu/delegations/kosovo_en dhe në www. https://mei-ks.net.). Janë shtatë fusha të mbuluara përmes mbledhjeve sektoriale të nënkomisioneve për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë; Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimin dhe Kulturën; Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet; Tregun e Brendshëm, Konkurrencën, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësinë, Peshkatarinë, Pylltarinë, Sigurinë Ushqimore; Transportin, Mjedisin, Energjinë, Zhvillimin Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat. Dy grupe të veçanta mbulojnë reformat e administratës publike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
  • Çdo takim i Nën-komisionit monitoron dhe shoqëron performancën e Kosovës në reforma dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces. Takimet gjithashtu kontribuojnë drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu