Kalin: Biden kërkon hapjen e një faqeje të re me Turqinë

0
65

Zëdhënësi i presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin deklaroi se ekipi i tranzicionit i presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden dëshiron të zhvillojë një marrëdhënie më të mirë me Ankaranë.

“Biden, derisa shërbeu si zëvendës i Obamës, erdhi në Turqi katër herë dhe e njeh rajonin. Kontaktet tona me ekipin e tranzicionit deri tani janë shumë pozitive”, theksoi Kalin për transmetuesin CNN Turk.

“Ata thonë se duan të zhvillojnë marrëdhënie të mira me Turqinë dhe të hapin një faqe të re”, shtoi ai.

Kalin theksoi se kishte tri çështje kryesore të pazgjidhura midis Ankarasë dhe Uashingtonit, përkatësisht mbështetja e SHBA-së për grupin terrorist YPG/PKK në Siri që nga administrata e mëparshme e Obamës, mbështetja e organizatës terroriste FETO dhe embargoja për F-35 kundër Turqisë.

Kalin tha se nëse ndërmerren hapa në këto tri fusha, atëherë të dy vendet mund të hapin një faqe të re në marrëdhëniet mes tyre.

Gjatë intervistës, Kalin foli gjithashtu kundër përditësimit të detyrueshëm të rregullave të privatësisë të aplikacionit të mesazheve WhatsApp.

Duke shprehur mbështetje për reagimin e përhapur kundër aplikacionit që është në pronësi të kompanisë Facebook, ai tha se mund ta fshijë aplikacionin nga pajisja e tij.

Duke folur për gjendjen me koronavirusin e ri në Turqi, ai vuri në dukje se kishte një rënie të numrit të rasteve dhe vdekjeve.

“Kjo nuk është e mjaftueshme. Procesi i vaksinimit duhet të fillojë”, tha ai duke shtuar se masat paraprake aktuale për të frenuar virusin, duke përfshirë orën e plotë policore të fundjavës, do të mbeten ende në fuqi.

Ai gjithashtu theksoi se Turqia shpresonte për zhvillime pozitive në marrëdhëniet e saj me Greqinë, duke shtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kishte pasur edhe një bisedë miqësore telefonike me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen./ATSH