Kafehanet dhe ashikët e Gjakovës

0
441

Çarshia, një çezme, mejtepi, ndërtesat e hyqymetit dhe objektet e kultit ishin pjesët qendrore të një kasabaje osmane. Ndërkaq në qytete, ky tip i kasabasë ishte ambienti i një mëhalle të caktuar.

Të vendosura zakonisht në qoshe të këtyre qendrave, shpesh me nga një pemë aty afër që shërbente për hije gjatë verës, ishin kafehanet. Këto vende ku i mblidhnin njerëzit e kategorive të ndryshme me qëllim pushimi e relaksimi, përveçse u bënë fole e socializimit të njerëzve në shoqërinë osmane, ato ndikuan pozitivisht në ngritjen e kulturës në shoqëri.

E ardhur nga Etiopia si origjinë, kafeja, do të ndalonte së pari në Jemen, e tek në shekullin XVI do të arrinte Stambollin- kryeqytetin e Shtetit Osman, dhe për tu përhap shumë shpejt nëpër kufijtë e këtij shteti që kishin arritur zenitin.

Sipas historianit osman Peçevit, kafehaneja e parë në Stamboll është hapur më 1554 në Tahtakale, nga dy persona-Hakemi nga Halepi dhe Shemsi nga Shami. Me kalimin e kohës këtë vend filluan ta frekuentojnë qatipët, poetët e njerëzit e parisë. Pinin kafe, bënin muhabet, lexonin libra ose luanin shah.

Me kohë, kafehanet do të zinin vendin e xhamive dhe hamameve, si vende të tubimeve sociale. Siç thekson edhe historiani francez François Georgeon, në Lindje për shkak të mungesës së klubeve dhe shoqatave, për shtresën e ulët dhe të mesme të shoqërisë kafehanet ishin qendrat e tubimeve kryesore. (Gorgeon, 1999: 78).

E ndoshta për shkak se në këto vende u mblidhnin edhe të pakënaqurit me pushtetin dhe bëheshin potencial për kërcënim për të, siç ndodhi shpesh me jeniçerët e revoltuar gjatë shek XVII, kafehanet gjatë këtij shekulli thuajse do të zhdukeshin nga kryeqyteti osman, e për tu kthyer përsëri në fund të tij.

Stambolli dhe qendrat e mëdha të perandorisë për dallim nga qytetet e vogla e kasabatë, për shkak të numrit të popullsisë kishin ndoshta edhe kushtet që kafehanet ti kategorizojnë sipas funksionit të tyre dhe profesionit të atyre që gravitonin, ku filluan të hapen kafehanet të ndara për bejtexhinjtë, esnafët e tregtarët, peshkatarët etj.

Në fillesat e tyre, kafehanet hapësirën e brendshme e kishin goxha të madhe; në tri anët e mureve kishte mindere ku të pranishmit mund ti hiqnin këpucët dhe të uleshin sipas stilit oriental; në një pjesë qëndronte oxhaku dhe ne mes të objektit ishte një shatërvan.

Gjatë shekujve këto vende do të merrnin edhe formatin e qendrave kulturore, ku këndohej në to, recitohej poezi dashurie, e çka është edhe më interesantja këto vende u bënë të famshme edhe për medahët, siç quheshin personat që dilnin para masës dhe rrëfenin tregime të ndryshme dhe kishin aftësi imituese, që sot ndoshta mund ti krahasojmë me “talk-show”-et dhe “stand-up comedy”-it.

Një gjë tjetër që i karakterizonte kafehanet ishin edhe kaligrafitë dhe pikturat murale. Të qëndisura bukur, përveç emrit të Pejgamberit (a.s) dominonte ai i Aliut (r.a) dhe Haxhi Bektash Veliut, ku tregonte edhe për influencën e frymës sufiste. Ndërkaq, pikturat murale zakonisht ishin të shtypura me teknikën litografike dhe dominonin peizazhet e natyrës, por kishte edhe nga ato me motive dashurie, siç ishin portretet e Lejlasë me Mexhnunin dhe Ashik Keremit me Asllë Hanmin.

Këta të fundit janë dy personazhe të popullarizuara në folklorin e pjesës së Anadollit lindor, Armeni, Azerbajxhan e Albani të Kaukazit. Keremi djali i një sulltani të dikurshëm të Isfahanit dhe Asllë vajza e një armeni. Dy të dashuruar, duke sfiduar ndasitë fetare për tu bërë bashkë, e duke u bërë shkrumb e hi nga zjarri i dashurisë që ndezën…! Për shkak se Anadolli dhe Ballkani për shekuj të tërë ishin të inkuadruar në një sistem shtetëror të përbashkët, që nga Roma, Bizanti e deri tek Osmanët, shkëmbyen nga njëra-tjetra në aspektet socio-kulturore.

Këta dy personazhe i gjejmë edhe në fillim të shek. XX edhe në skajin ndoshta më perëndimor të shtetit Osman- në Gjakovë. Korrespodenti i gazetës “Tanin”, Ahmet Sherif, i cili më 1910 do të raportonte nga thuajse secili qytet i vilajetit të Kosovës, na sjell detaje mjaft interesante nga ky qytet rreth kësaj teme.

Duke e vizituar Gjakovën më 6 qershor 1910, Ahmet Sherifi, përveç informatave të bollshme që ofron për këtë qytet jep edhe një përshkrim që atij i kishte bërë përshtypje.

Ndër tjerash shkruan: “Këtë sabah dëgjova që në kafehane kishte edhe piktura murale, shkova atje, hyra brenda. Një pjesë e murit ishte e dekoruar me pikturat e Nasradin Hoxhës. Në mes të këtyre më tërhoqi vëmendjen portretet e Ashik Keremit dhe Asllë Hanmit. I kishin bërë portretet e këtyre dyve dhe poshtë së bashku me emrat e tyre ishte shkruar “Radiallahu anh”. Pyeta për këtë dhe morra një përgjigje që nuk e prisja- Nuk e dini?! Ohh kjo është edhe në libra! Nuk e dini që Ashik Keremi ishte evlia dhe pejgamber?!”. Kështu ndoshta nga njëra kafehane në tjetrën, përmes medahësh e muhabetesh kafeje, Ashik Keremi dhe Asllë kishin udhëtuar nga një kontinent në tjetrin, nga Isfahani në Gjakovë, e rrugës ndoshta kishin fituar shenjtëri….!

 

Shasivar Kabashi