“Ju banditët që keni gjithçka, faturë tatimore as merrni as e jepni”

0
42

Nga Edison Ypi

Ne budallejt

Ne budallejt e duam pushtetin për ta bërë më të mirë. Ju skilet pushtetin e doni që ta vidhni.
Ne budallejt i besojmë meritokracisë dhe transparencës. Ju të squtët i besoni nepotizmit, klientelizmit, krahinarizmit, mercenarizmit, sidomos rrenës.
Ne budallejt themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që ju të squtët na thoni. Ju të shkathtit nuk thoni atë që mendoni dhe nuk e besoni atë që ne budallejt j’u themi.
Ne budallejt u besojmë Rilindasve që thanë “Lind nga perëndon”. Ju inteligjentët që nuk besoni Zotin por Dreqin, thoni se lind nga lind.
Për ne budallejt ekonominë e mbajnë në këmbë biznesmenët. Ju pehlivanat thoni se këtë shërbim të çmuar shoqërisë ja bëjnë proletarët. Thoni si të doni, veç mos u habisni kur kallaballëku të zbresi në shesh të shkatërrojë dhe xhvasi dhe djegi gjithçka.
Ne budallejt e kemi të qartë se banakierët televizivë janë dallaverexhinjtë dhe hajdutët më të ndyrë. Ju kopilat këtë bëni sikur nuk e kuptoni. Sytë j’u dalçin juve dhe atyre.
Ne budallejt përdorim nja një mijë fjalë kur flasim dhe nja pesë mijë kur shkruajmë. Ju eruditët as flisni as shkruani. Derisa të mësoni ca fjalë ju kokpalarët, do vazhdojmë të shkarrashkruajmë ne budallejt.
Ne budallejt që nuk kemi asgjë dhe nuk fitojmë asgjë, e marrim faturën tatimore për çikërrimat që blejmë. Ju banditët që keni gjithçka, faturë tatimore as merrni as e jepni edhe kur blini e shisni grataçiela.
Ne budallejt nuk vjedhim. Ju gjenialët vidhni. Po të vidhnim ne, budallej do ishit ju.
Ne budallejt lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallejt ca stërbudallej që poezitë i mësojnë përmendësh. Poezitë më të bukura për ne budallejt janë ato që zemrën e dridhin ose e ndalin. Për ju gjenialët janë ato që tregojnë si bëhet dhe hahet paçja dhe pilafi me dhjam derri.
Ne trashanikët femrave u bëjmë komplimenta të paturpshme. Ju elegantët femrave u mbani leksione moralistike. Prandaj femrat ne budallejve na falin atë pyllin me shkurre në fund të barkut ku këndojnë bilbilat, ndërsa juve noc rrokun.
Ne budallejt nuk ikim nga Shqipëria. Ju shqarthat ikni. Duke ikur ju skuthat që jeni shumicë, ne budallejt që jemi pakicë dalngadalë do bëhemi shumicë, dhe rrjedhimisht të squtë, ndërsa idiotat do jeni ju që braktisni vatrat. Pas rrokadës së budallejve me shkërdhatat, era, shiu, breshëri, toka, dielli, qielli, deti, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, do na mbeten ne inteligjentave, por si gjithmonë, bota do vazhdojë të jetë e juve budallejve.