Jezusi, i treti në mesin e 100 personaliteteve më të shquar të historisë

0
355

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit:

Nr III

Jezu Krishti

6 p.e.s.-30

Ndikimi i Krishtit lidhur me historinë e njerëzimit është aq i madh dhe aq i dukshëm, saqë rrallë kush mund ta diskutojë vendosjen e tij në fillim të këtij libri. Në të njëjtën kohë, më e drejtë do të ishte të bëhej pyetja pse Krishti, frymëzuesi i fesë më të madhe të historisë njerëzore nuk ka zënë vendin  e parë?

Pa dyshim, me rrjedhën e kohës, krishterimi ka shumë më tepër ithtarë nga çdo fe tjetër. Megjithatë, në libër nuk vlerësohet ndikimi përkatës i çdo feje, por ndikimi i individit si i tillë. Në ndryshim nga islamizmi, kristianizmi nuk është krijuar nga një njeri i vetëm, por nga dy: Jezusi dhe Shën Pavli, kështu që merita kryesore për zhvillimin e kristianizmit u takon të dyve, ose duhet të ndahet midis të dyve.

Jezusi formuloi parimet bazë të etikës kristiane, botëkuptimin bazë shpirtëror të tij dhe parimet kryesore të sjelljes njerëzore. Por, besimi Kristian, para së gjithash, është formuar nga Shën Pavli. Jezusi kreu një mision shpirtëror, Pavli e plotësoi atë me kultin e Jezusit. Krahas kësaj, Shën Pavli është autori i një pjese të rëndësishme të Dhiatës së Re dhe përhapësi kryesor i kristianizmit gjatë shekullit të parë.

Jezusi vdiq relativisht i ri (në ndryshim nga Buda apo Muhamedi) dhe la një numër të kufizuar ithtarësh. Gjatë kohës së tij, numri i ithtarëve ishte I vogël dhe vetëm nga sekti hebre. Falë shkrimeve të Pavlit dhe veprimtarisë së tij, të pavdekshme predikuese, ky sekt i vogël u shndërrua në një lëvizje shumë të madhe dinamike , e cila përfshiu hebrenj dhe jo hebrenj, duke u rritur shumë e duke u bërë feja më e madhe në botë. Ja pse ndonjëri këmbëngul që Shën Pavli, dhe jo Krishti, duhet të vlerësohet si themeluesi I parë i kristianizmit. Logjikisht, ky argument duhet të na shpinte në vendosjen e Shën Pavlit para Krishtit në këtë libër.

Megjithatë, edhe pse nuk është e qartë se si do të ishte kristianizmi pa përpjekjet e Shën Pavlit, është mëse e dukshme se pa Krishtin, kristianizmi në përgjithësi nuk do të ekzistonte. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë bazë që Krishti të mbajë përgjegjësi për gjithçka kanë bërë më vonë në emrin e tij kisha krisitane, apo të krishterë të veçantë dhe për më tepër, shumë nga veprat e tyre ai nuk do t’i miratonte.

P.sh., luftërat fetare ndërmjet sekteve të ndryshme kristiane, shkatërrimet barbare dhe zemërimet e hebrenjve janë në kundërshtim të hapur me predikimet e Krishtit. Kështu, është e pamundur të thuhet se ato janë kryer nën ndikimin e Krishtit.

Sipas së njëjtës logjikë, edhe pse shkenca bashkëkohore lindi së pari në shtetet e Evropës Perëndimore kristiane, me vështirësi mund të mendohet se Krishti ishte “shkaktari” i përparimit të shkencës. Dhe me të vërtetë, kristianët e hershëm asnjëherë nuk i kanë interpretuar predikimet e Krishtit si thirrje për kërkime shkencore në botën materiale. Në të vërtetë, pagëzimi i romakëve ishte kremtuar dhe shkaktuar nga vërshimi i mprehtë i nivelit të teknikës dhe nga interesi për shkencën.

Ndërsa ajo, që shkenca filloi së pari në Evropë, padyshim tregon se trashëgimia kulturore evropiane ka diçka, që vepron këndshëm lidhur me mendimin shkencor.

Megjithatë, ajo nuk është doktrina e kristianizmit, por racionalizmi grek, që gjeti shprehje tipike në veprat e Aristotelit dhe Euklidi.

Duhet kujtuar se shkenca modern u zhvillua në kohën e pushtetit të lartë të kishës dhe të besimit Kristian, por në gjurmët e Rilindjes, periudhë kur Evropa tregoi për së dyti interes për trashëgiminë para kristianizmit. Jeta e Jezusit, siç është paraqitur në Dhiatën e Re, njihet nga shumica e lexuesve,kështu që këtu nuk do ta përsërisim. Së pari, shumica e informacioneve që zotërojmë për jetën e Jezusit, nuk janë të besueshme. Ne nuk dimë as emrin e vërtetë të tij.

Më e besueshme është që ai të ketë qenë një emër i zakonshëm hebre, për shembull,Johashua (në anglisht,afrohet me Xhoshua).Me siguri ne nuk ia dimë as datëlindjen edhe pse paraqitet viti 6 p.e.r., po e njëjta gjë ndodh edhe me datën e vdekjes.Ajo duhej të njihej mirë nga ithtarët e tij, por sot nuk dihet me siguri.

Vet Jezusi nuk ka lënë asnjë lloj dokumenti të shkruar dhe faktikisht të gjitha informacionet për jetën e tij janë marrë nga Dhiata e Re.

Fatkeqësisht, Evangjelia është kontradiktore për disa çështje.P.sh., Mateu dhe Luka na japin në mënyra krejt të ndryshme fjalët e fundit të Jezusit dhe, midis të tjerash, të dyja variantet janë marrë nga Dhiata e Vjetër.

Jo rastësisht Jezusi është përfshirë në Dhiatën e Vjetër. Edhe pse ishte përfaqësuesi i parë i kristianizmit, ai ishte i besimit hebre. Shpeshherë është menduar se shumë vepra të Jezusit ngjajnë me ato të profetëve të vjetër hebrenj të Dhiatës së Vjetër, ku edhe kanë patur ndikimin e tyre. Si profet, ai ka qenë një personalitet me ndikim të jashtëzakonshëm, që linte gjurmë të thella dhe të qëndrueshme tek ata që e takonin. Ishte magjik në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Megjithatë, në ndryshim nga Muhamedi, që jetoi me autoritet politik dhe fetar, Jezusi në të vërtetë nuk pati ndikime politike as gjatë kohës së tij dhe as gjatë shekujve të mëvonshme (kuptohet, të dy kanë patur ndikim të fuqishëm, të drejtpërdrejtë në ngjarjet e mëvonshme politike). Ndikimi i Jezusit ndihet vetëm në sferën etike dhe shpirtërore.

Duke qenë se Jezusi ka lënë gjurmë të thella në fushën e etikës, del pyetja se deri në ç’shkallë normat e tij etike kanë lënë gjurmë te nerëzimi? Një nga porositë kryesore të Jezusit është e Drejta e Artë: Silluni me njerëzit ashtu siç do të donit që njerëzit të silleshin me ju “.

Sot kjo maksimë pranohet pak nga shumica e njerëzve të krishterë dhe jo të krishterë, si një mesazh udhërrëfyes i sjelljes etiko-morale.

Ne, nuk sillemi gjithmonë në përshtatje me këtë mesazh, por ngandonjëherë përpiqemi ta respektojmë atë. Në qoftë se Jezusi do të kishte qenë vërtetë burimi kryesor i këtij parimi të përgjithshëm, atëherë me siguri do t’i jepnim vendin e parë në këtë libër.

E drejta e Artë është shprehur nga judaizmi shumë kohë përpara Jezusit. Rabini Hilel, më i shquari i shekullit të parë p.e.s e shpalli këtë mesazh si parimin më të rëndësishëm të judaizmit. Kjo mënyrë të menduari është e njohur jo vetëm në botën perëndimore. Filozofi kinez Konfuci e kishte shpallur këtë mesazh që në vitin 500 p.e.s.. Ky mesazh gjendet edhe në eposin sanskrit “Mahabharta”.

Filozofia e së Drejtës së Artë është përfshirë pothuajse në të gjitha rrëfimet fetare.

Këto tregojnë se Jezusi nuk ka patur mendime origjinale për etikën. Shumë pikëpamje interesante janë paraqitur në Ungjillin sipas Mateut ( 5:43-55).

“Keni dëgjuar të thuhet : Duaje të afërmin dhe urreje armikun! Ndërsa unë ju them : Duajini armiqtë tuaj dhe bekojini ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre, që nuk ju duan dhe lutuni për ata që ju shqetësojnë dhe ju ndjekin”

Dhe disa radhë më lartë:”…

Mos i kundërshtoni së keqes. Në qoftë se ndonjëri të bie me forcë në faqen e djathtë, ktheja dhe të majtën”. 

Këto mendime, që nuk ndeshen te judaizmi në kohën e Jezusit, janë disa nga mesazhet etike më të shënuara dhe origjinale të të gjitha kohërave. Po të respektohej kjo, nuk do të luhatesha për Jezusin që të zinte vendin e parë në libër.

Por, këto mesazhe nuk kanë mbështetje të gjerë.

Në të vërtetë, ato nuk kanë gjetur miratim të përgjithshëm. Shumica e të krishterëve, shënimin “duajini armiqtë” në rastin më të mirë e quajnë ideal, që mund të realizohet vetëm në një botë të kulluar, por që në realitet nuk ka kuptim logjik.

Zakonisht, ne nuk sillemi ashtu, nuk presim edhe nga të tjerët që të sillen ashtu dhe nuk i mësojmë fëmijët të veprojnë në këtë mënyrë.

Sipas kësaj, arsyetimet më të rëndësishme të Jezusit mbeten interesante, por të papranueshme në linjat themelore.

Në ditët në vijim sjellim të katërtin me radhë, që është BUDA./Oxygenpress.info