Jepet fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Pjetër Ndrecaj, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij

0
239

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, të martën, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Pjetër Ndrecaj, i akuzuar për “vrasje të rëndë̈”, si dhe “mbajtjes në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve”, raporton “Drejtësia Sot”.

Pjetër Ndrecaj, po akuzohet se me 7 gusht 2018, në shtëpinë e familjes së viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N. dhe vajzën e tij të mitur K.N.

Pas konstatimit të pranisë së palëve në sallë, seanca ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurorit Ali Uka.
Prokurori theksoi se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar gjendja faktike se i akuzuari ka kryer veprat penale sipas aktakuzës. Andaj, në fund të fjalës së tij, prokurori Uka, i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënoi sipas ligjit.

Ndërsa, përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokat Isa Osdautaj, në fjalën e tij përfundimtare, deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të prokurorit të rastit. I njëjti kërkoi nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit, ndaj të akuzuarit Ndrecaj të shpallë një dënim maksimal, me të cilin do të arrihet edhe qëllimi i këtij dënimi.

Ndërkaq, mbrojtësja me autorizim zëvendësues, avokate Feride Xani, gjatë fjalës së saj përfundimtare, theksoi se me rastin e marrjes së vendimit gjykata, duhet të ketë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Supreme, përkatësisht rrethanat e vrasjes së vajzës së tij. Sipas mbrojtjes, vrasja e vajzës nuk është kryer me dashje ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, por nga pakujdesia.

Në fund të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gëzim Pozhegu së bashku me dy anëtarët e tjerë gjyqtari Mizahir Shabani dhe gjyqtari Ilir Rashkaj, njoftuan se aktgjykimi për këtë rast do të shpallet më datë 11 shtator 2020./DrejtesiaSot