Jehona e zërit të tyre!

0
204
Kush e theu akullin? Kush e rrezoi mbretërinë e heshtjes!?
Në tetor të vitit 2018, Vasfija foli hapur mbi tmerret e përjetuara, stigmatizimin nga shoqëria dhe sfidat në kërkim të drejtësisë. Vazhdoi dhe foli edhe për vullnetin e saj të pathyeshëm për të tejkaluar sfidat si dhe motivin e hekurt për të vazhduar tutje rrugëtimin për ndërgjegjësimin e të gjithë neve që jemi pjesë e sënjëjtës shoqëri – të sënjëjtës përgjegjësi që kemi për përkrahjen e heroinave tona!
Paraqitja e Saj publike ka tronditur vendin dhe botën, ka shkundur pluhurat mbi themelet e harruara të drejtësisë, ka ngritur guximin tek të tjerët që kanë shumë për të thënë por nuk kanë gjetur kurajë për të ngritur zërin.
Një vit më vonë (tetor 2019) një tjetër heroinë e jona, Shyrete Tahiri Sulimani publikisht trokiti në dyert e drejtësisë së mohuar duke bërë dorëzimin e kallëzimit penal pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës.
QKRMT vazhdoi avokimin për qasje në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke përgatitur rastet për të dëshmuar dhe kërkuar drejtësi. Si rezultat i punës sonë të vazhdueshme, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën për krime kundër njerëzimit, ku e mbijetuara e këtij krimi, është përgatitur dhe përfaqësuar nga QKRMT. Tani aktakuza për këtë krim është konfirmuar!
QKRMT ka nisur dhe vazhdon udhëtimin me heroinat e saj drejt qetësisë shpirtërore për të gjithë ata që kanë kaluar nëpër mizori të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Asnjëherë nuk do të pushojmë së qeni aleatë në kërkim të drejtësisë që u takon të mbijetuarve dhe do të ofrojmë mbështetjen ndaj tyre hap pas hapi derisa drejtësia të triumfojë!