“Jazz”, muzika e shpirtit

0
3024
19º FESTIVAL INTERNACIONAL DE JAZZ DE PUNTA DEL ESTE Luis Perdomo Cuarteto Johnattan Blake / batería Hans Glawischnig /bajo Luis Perdomo / piano Mark Shim / saxo tenor – wind controller Martin Wind Cuarteto Homenaje a Bill Evans Bill Cunliffe /piano Joe La Barbera / batería Martin Wind / bajo Scott Robinson / saxotenor Paquito D'Rivera presenta: Homenaje a Chano Pozo Alex Brown /piano Eric Doob / batería Zachary Brown / bajo Pernell Saturnino /percusión Diego Urcola / trompeta Paquito D'Rivera / saxo alto FINCA EL SOSIEGO, Maldonado, Uruguay

Muzika xhaz është ndër më të dëgjuarat e të gjitha kohërave. Vlerat e xhazit shkojnë përtej bukurisë së kësaj rryme. Ajo shihet si mjet edukativ dhe forcë për paqen, bashkimin, dialogun dhe bashkëpunimin mes njerëzve. Xhazi është një lloj muzike shumë intelektuale, e cila shquhet për një teknikë të veçantë, improvizime dhe fantazi. Ajo ndikon te mënyra e të menduarit, krijon ndjenja dhe emocione të veçanta te njeriu dhe ata të cilët e njohin këtë lloj muzike kanë në përgjithësi njohuri të mëdha edhe për llojet e tjera të muzikës. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja që e karakterizon e bëjnë xhazin një lloj arti të veçantë në vetvete.

Origjina e muzikës së xhazit është shumë e pazakontë. Zhvillimi i saj ishte dinamik dhe i ndritur, i shoqëruar nga ngjarje të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme, të cilat ndikuan në zhvillimin e artit muzikor të botës.

Instrumentet më të përdorura të muzikës xhaz janë: saksi, tromba, tromboni, bateria, kontrabasi, ksilofoni dhe, mbas viteve ’70, instrumentet elektrike. Në zemër të muzikës xhaz është një kombinim i improvizimit me një melodi muzikore të menduar më parë, jo domosdoshmërisht të regjistruar. Përdorimi i përhershëm i veglave ritmike me qëllim krijimin e një ritmi themelor, si edhe krijimin e melodisë xhaz, nën përsëritjen e përhershme sikurse individuale (solistike) apo kolektive (improvizimi), e bëjnë këtë lloj muzike shumë unike dhe rrallë të konkurrueshme me llojet e tjera të muzikës kudo në botë.

Instrumenti i trombës ka një vend shumë të rëndësishëm në muzikën xhaz. Tromba si një instrument shumë i veçantë për muzikën në përgjithësi, është edhe simboli i muzikës xhaz. Krahas instrumenteve të tjera, ajo është përdorur nga shumë kompozitorë të xhazit. Përveç një numri instrumentistësh të mëdhenj në instrumente të ndryshme, një rol të madh kanë luajtur edhe trombistët amerikanë Louis Armstrong, Dizzy Gillespie, Miles Davis, ndërsa në ditët e sotme këtë rol vazhdojnë ta luajnë Wynton Marsalis dhe Arturo Sandoval.

Xhazi është një stil muzikor që u shfaq në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të 20-të. Xhazi është shkrirje e të shprehurit muzikor laik e shpirtëror të afroamerikanëve dhe e elementeve muzikore evropiane. Kjo lloj muzike filloi në jug të Shteteve të Bashkuara dhe më vonë u përhap në mbarë botën. New Orleans-i është vendlindja e xhazit dhe veçanërisht Sheshi “Kongo”, të cilët simbolizojnë hapat e para të shkëlqimit të kësaj muzike. Karakteristikë e tij është ritmi i çrregullt, forma josimetrike, sinkopat e shpeshta dhe intervalet e zbritura e të zvogëluara. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika xhaz ka marrë edhe disa elemente nga muzika popullore amerikane. Mund të përmendim disa forma të ndryshme të saj, si: “New Orleans Jazz” që daton në fillim të viteve 1910, “Gypsy Jazz” nga vitet 1930-1940, “Bebop” nga mesi i viteve ’40, “Cool Jazz”, “Soul Jazz”, “Avant-gard Jazz”, “Boogie Woogie” e të tjerë.

Jelly Roll Morton, Buddy Bolden, Kid Ory ishin ata që bënë tranzicionin e muzikës popullore afrikane në format e para të xhazit.

Një nga datat më të rëndësishme në zhvillimin e muzikës xhaz ishte dita e 26 shkurtit 1917. Atë ditë, në studiot e regjistrimit të qytetit të Nju-Jorkut pesë muzikantë, përfaqësuesit tipikë të garës “Europoid”, bënë regjistrimin e parë të xhazit. Pas këtij regjistrimi të dëgjuar në të gjithë Amerikën, nga grupi legjendar “Original Dixieland Jazz Band”, e gjithë popullsia e këtij vendi të madh ishte e tronditur dhe habitur nga ai tingull i pazakontë, i cili pushtoi shtëpitë diskografike gjithmonë e më shumë dhe u kthye në një markë amerikane që pushtoi botën, duke sjellë fitime marramendëse.

Një nga grupet e para të xhazit e viteve ’30, që më pas, për nga stili, u ndoq edhe nga shumë të tjerë, ishte orkestra e njohur nën drejtimin e mjeshtrave të muzikës xhaz si Glenn Miller, Duke Ellington, Fletcher Henderson, Count Basie dhe Benny Goodman. Duke Ellington në vitet ’40 të shekullit të kaluar, në punën e tij është bazuar në traditat e muzikës popullore latinoamerikane, duke e zgjeruar edhe më shumë muzikën xhaz.

Muzikantë të talentuar dhe interpretues të xhazit, si Charlie Parker, Dizzy Gillespie, Thelonious Monk dhe shumë të tjerë eksperimentuan me zhanrin “Bebop” dhe “Bop”, duke e bërë xhazin edhe më shumë të kuptueshëm nga masat. “Bebop” ngelet ndër më të njohurat edhe në ditët tona.

Në mesin e viteve ’60, zhvillimi i xhazit, si tendencë stilistike në muzikë, ka shkuar në dy drejtime të ndryshme. Një ndër to është stili “West Coast”, ndërthurje kjo e ritmeve klasike dhe moderne të asaj kohe, por me bas të rëndë dhe tejzgjatje të notave të çrregullta. Këngëtarja që sot thuajse e sjell atë lloj muzike tek ne është Lana Del Ray. Drejtimi i dytë është “Soul Jazz”, ku kombinohen bazat e “Bebop”-it dhe traditat negro folklorike, ritmet e zjarrta dhe meloditë fetare, këngët e nipërve amerikanë të atyre që luanin notat e para të xhazit nëpër lagjet e thella, ku lindi kjo lloj muzike, të ashtuquajturit muzikantët shpirtërorë.

Xhazi është popullor në shumë vende të botës. Kudo ka yje, të cilët janë të rrethuar nga një ushtri tifozësh, por disa emra janë bërë një legjendë e vërtetë. Ata janë të njohur dhe të dashur nga të gjithë. Kur mendon për xhazin, mendja të shkon menjëherë te Louis Armstrong-u, Aretha Franklin, Rey Charles, Billie Holiday, Ella Fitzgerald, Janis Joplin, etj. Xhazi live është sot ndër më të preferuarit dhe më të paguarit në lokalet më luksoze të shtresave të larta në botë, por edhe në baret e vogla tradicionale të ShBA-së, Europës e Azisë, ku çdokush mund të shkojë për të kaluar disa orë me miqtë për të dëgjuar muzikën “soul”, muzikën e shpirtit. Muzika xhaz i ka rezistuar të gjitha kohërave, duke u bërë pa dyshim frymëzim edhe për muzikën moderne të ditëve të sotme. / CRI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu