Java fillon me mot të butë, të enjten më ftohtë, me erëra, mundësi edhe për reshje bore

0
104

Ditëve të para të javës së fundit të muajit shkurt, fusha të presionit të lartë do të dominojnë mbi rajon, ku në vendin tonë kushtëzojnë mot kryesisht me diell. Të hënën pasdite një front i dobët i ftohtë do të kaloj në lindje të rajonit, që mbi vendin tonë sjellë vransira kalimtare.
Masa të ngrohta ajrore që po depërtojnë nga Mesdheu do të mbajnë temperaturat ndjeshëm mbi vlera mesatare, e ditën e martë temperaturat maksimale do arrijnë edhe mbi 15C.
Ditën e mërkurë dhe të enjte një ciklon nga Atlantiku do të depërtojë mbi rajon, që do të sjellë kushte për reshje të dobëta shiu, e ditën e enjte me depërtimin e masave të ftohta ajrore priten edhe reshje aftashkurta bore. Për shkak të diferencave të mëdha barike, të enjten priten edhe erëra, të cilat në disa pjesë të Dukagjinit mund të arrijnë hove deri në 20m/s.

Cilësia e ajrit ditëve të ardhshme do të luhatet përreth vlerave mesatare, e kohëpaskohe do të kalojë edhe në vlera të pashëndetshme. Erërat që pritet të fryejnë nga mesi i javës pritet të sjellin përmirësime, ku vlerat do të zbresin edhe në të mira.

24.02 – Butë. Kryesisht me diell, e nga mesdita vransira kalimtare.
25.02 – Butë, kryesisht me diell dhe vransira të nivelit të lartë.
26.02 – Butë dhe me erë. Vransira dhe intervale me diell. Pasdite mundësi për riga lokale shiu.
27.02-28.02 – Të enjten më ftohtë, kryesisht me vransira dhe erë. Paradite vende-vende reshje të dobëta shiu, e pasdite priten edhe reshje afatshkurta bore. Ditën e premte në mëngjes ftohtë, e gjatë ditës më butë, me vransira dhe intervale me diell.

Temperaturat minimale do të luhaten nga -2C deri në 3C, ndërsa maksimalet ditën e martë arrijnë deri në 16C, e ditën e enjte pritet të zbresin deri në 6C.
Do të fryejë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme drejtimesh të ndryshme 3-13m/s, e ditën e enjte vende-vende me hove edhe deri në 20m/s.
Shtypja atmosferike deri të mërkurën gradualisht do të zbres thellë nën vlera normale.