Japonia përjashton shpalljen e gjendjes të jashtëzakonshme

0
33

Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga përjashtoi sot shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme përkundër rritjes së rasteve me COVID-19.

Duke folur para gazetarëve, Suga tha se “nuk ka asnjë nevojë për të shpallur gjende të jashtëzakonshme në këtë moment”.

Japonia raportoi rekord prej 1 661 raste të reja për herë të parë që nga 7 gushti kur vendi regjistroi 1 605 raste, numrin më të lartë që nga shpërthimi i pandemisë.

Kryeqyteti Tokio, vetëm gjatë ditës së djeshme raportoi 393 raste të koronavirusit. Suga zbuloi se infeksioni ishte në rritje sidomos në Hokkaido, Tokyo, Osaka dhe Aichi.

Duke mbështetur qëndrimin e tij me pikëpamjen e ekspertëve, kryeministri japonez tha se nuk kishte nevojë për të rishikuar fushatën “Go To Travel”.

Japonia ka nisur fushatën e turizmit të brendshëm për të rritur ekonominë e cila është goditur rëndë nga pandemia me humbje vjetore prej mbi 28 % të rritjes.

Vendi ka vendosur një gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare në prill për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Japonia ka raportuar 111 711 raste me COVID-19, përfshirë 1 851 viktima deri më tani. Rreth 100 005 pacientë janë shëruar nga koronavirusi./ATSH