Iu bashkua të fejuarit në ISIS: Aktakuzë ndaj kosovares

0
84
Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër M.T., për veprën penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës” nga neni 3 paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit nr. 05/L-002.

Prokuroria Speciale njofton se, pasi që i fejuari i të akuzuarës nga muaji shkurt 2014 ka qenë në Siri, duke luftuar për organizatën terroriste ISIS, e pandehura M.T. i është bashkangjitur edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është i kundërligjshëm.

Më 20 qershor 2014, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, e pandehura M.T. ka shkuar për në Stamboll dhe me aeroplan tjetër menjëherë ka vazhduar për në Gaziantep, e pastaj nga aty me një automjet ka kaluar në Siri, ku i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë e kësaj organizate, me qëllimin që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojnë qeverinë Siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve tjera, që të lënë pushtetin dhe të krijojnë Shtetin Islamik, në atë mënyrë që duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, i ka ofruar shërbime logjistike ushtarëve.

Gjatë gjithë kohës e pandehura M.T. ka ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik, deri sa ISIS-i ka pësuar disfatë të plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen te forcat Kurde, të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë Amerikane i kanë deportuar në Kosovë më 24 maj 2019.

Me këto veprime e pandehura ka kryer veprën penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës” nga neni 3 paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit nr. 05/L-002