Italianja që hulumtimet i ka të përqendruara në Kosovë, publikoi librin e saj të ri për masakrën e Tivarit

0
192

Masakra e Tivarit, e kryer nga forcat jugosllavo- partizane në vitin 1945 në Tivar të Malit të Zi, ende mbetet e pandriçuar si duhet.

Ende ka dilema lidhur me qëllimin dhe numrin e rekrutëve shqiptarë të trevave të ndryshme të Kosovës, por nuk ka asnjë dilemë se masakra u krye dhe në vrasjen e rekrutëve shqiptarë përveç partizanëve kishin marrë pjesë edhe civilët malazias të atij qytet.

Këto konkludime dolën gjatë promovimit të librit “Dimri i gjatë i viti 1945, Tivari”, i autorëve Anna di Lellio dhe Dardan Luta.

Libri është një histori e ilustruar e asaj masakre ndërtuar përmes 10 storieve, rrëfimit të Shaban Pajazitit dhe rekrutëve të tjerë nga Çubreli (Skënderaj), të cilët mbijetuan për t’i treguar historitë e tyre.

Pjesë e këtij libri janë edhe burime arkivore dhe dëshmi dokumentuese shtesë të cilat autorët kanë mundur t’i konsultojnë për të krijuar një histori të kësaj masakre edhe përmes rrëfimeve të dëshmitarëve.

Autorja Anna di Lellio ka thënë se Tivari është një histori shumë  tragjike dhe dramatike për Kosovën dhe si e tillë duhet të hulumtohet më shumë.

“Mendoj së është shumë me rëndësi për shqiptarët që të hulumtohet më shumë për këtë masakër por edhe për Luftën e Dytë Botërore. Pasi ka pasur shumë dëshmitarë që i kanë mbijetuar kësaj masakre”, ka pohuar ajo duke çmuar edhe historitë që vijnë qoftë nga dëshmitarët, dokumente e materiale tjera

Kurse Dardan Luta, bashkautor i librit,  ka potencuar se libri rrëfen masakrën përmes rrëfimit të dëshmitarëve okularë, rrëfimet e të cilëve përputhen duke ndriçuar një aspekt të kësaj historie.