Italia rihap shkollat në sfondin e COVID-19

0
55

Miliona nxënës italianë rikthehen në bankat e shkollave javën e ardhshme, pas gjashtë muajve të kaluara në shtëpi, të përballur me një skenar të ri, me klasa në natyrë ose dhoma izolimi kundër koronavirusit.

Pas fillimit të mësimit tashmë në disa shkolla në veri të Italisë, pjesa më e madhe e rreth tetë milionë nxënësve rikthehen në shkollë të hënën pasi koronavirusi ”mbylli” shkollat në fillim të muajit mars.

Disa rajone si Pulia apo Kalabria kanë vendosur ta shtyjnë rifillimin e shkollës më 24 shtator, pas një zgjedhjeje rajonale të pjesshme të organizuar në shkolla.

Italia ka qenë një prej vendeve të para europiane që u prek rëndë nga COVID-19 që ka shkaktuar deri tani vdekjen e më shumë se 35 500 personave në total prej më shumë se 280 000 raste.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte premtoi një rikthim në siguri të plotë.

“Ju drejtohem për t’ju thënë faleminderit, ju keni paguar çmimin më të lartë të kësaj krize. Shkollat e mbyllura dhe mësimi në distancë kanë qenë një peshë shumë e madhe”, theksoi Conte për të rinjtë në një konferencë shtypi.

Përkrah tij, ministrja e Arsimit, Lucia Azzolina nënvizoi se më shumë se 5 000 klasa të reja ishin krijuar dhe 5 000 klasa të vjetra ishin zgjeruar.

Që prej disa javësh shkollat e gadishullit po përgatiten për rikthimin e nxënësve, ashtu si në liceun teknik “Luigi Einaudi” të Romës.

“Ne jemi një shkollë krejtësisht ndryshe nga ajo e 6 marsit, data e mbylljes për shkak të epidemisë së COVID-19”, deklaroi Diana Guerani, drejtoreshë e këtij liceu që ndodhet pranë bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan.

“Kjo është një situatë krejtësisht e re”, shton Guerani, ndërsa punëtorët vendosnin tavolina të reja në një distancë të detyrueshme prej një metri nga njëra-tjetra.

Shkolla është përgatitur të mbrojë kthimin e rreth 1 000 studentëve të saj të hënën.

Shirita ngjitës janë vendosur në dysheme që tregojnë drejtimin e lëvizjes, ndërsa shpërndarësit për pastrimin e duarve u vendosën në të katër cepat e shkollës.

Ky dezinfektant është furnizuar nga qeveria që ka premtuar 170 000 litra në javë si dhe furnizimin e përditshëm me rreth 11 milionë maska falas për mësuesit dhe nxënësit.

Në hyrje të shkollës, një kameta speciale kontrolli nëse një nxënës ka ethe ose hyn në ndërtesë pa maskë.

Nxënësit me ethe do të izolohen menjëherë në një sallë speciale “anti-COVID-19″ ku protokollet janë të gatshme për të testuar virusin”, theksoi Marina Di Foggia, një mësuese.

Strategjia e kthimit në shkollë të Italisë sillet rreth karantinës së menjëhershme të atyre që kanë qenë “në kontakt të ngushtë” me një student apo mësues që rezulton pozitiv me COVID-19.

Një nxënës i cili rezulton pozitiv do të lejohet të kthehet në shkollë vetëm pas dy testeve negative dhe shkencëtarët që këshillojnë autoritetet po rekomandojnë masa drastike, duke përfshirë ndalimin e këndimit për të shmangur parashikimet.

Në Milano, kryeqyteti i Lombardisë, rajoni më i prekur nga epidemia, disa shkolla të mesme u hapën të hënën.

“Ne jemi rikthyer në shkollë javën e kaluar, pas gjashtë muajve ndërprerje. Pas gjithë kësaj kohe, isha i lumtur. Ne duhet të mbajmë maskën gjithë ditën, si mësuesit. Është pak e lodhshme (…) por pas një kohe mësohesh”, theksoi Laura Bonnano, një 16-vjeçare e shkollës së mesme./ATSH