Italia drejt mbylljes së dytë?

0
109

Italia raportoi një rekord tjetër ditor për rastet e Covid-19, ditën e shtunë, ndërsa qeveria planifikoi kufizime të mëtejshme për të frenuar një ringjallje të pandemisë.

Ndërkohë, ditën e djeshme shënoi dhe dita e dytë e protestave në rrugë, kundër shtetrrethimit që u urdhërua këtë javë.

Kryeministri Giuseppe Conte ka thënë se ai dëshiron të shmangë një përsëritje të bllokimit të plotë në fillim të vitit dhe qeveria qëndrore pritet të njoftojë më shumë masa së shpejti.

Pas përleshjeve në Napoli, të premten në mbrëmje, policia u përball me dhjetra protestues të maskuar në qendër të Romës, pasi grupi i ekstremit të djathtë Forza Nuova bëri thirrje për një protestë kundër shtetrrethimit.

Më parë, gjatë asaj dite, të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë treguan 19,644 raste të reja të Covid dhe 151 të vdekur, ndërsa sëmundja u rrit në zona si Lombardia, Milano, Campania dhe Lazio.

Conte u zotua të shpejtojë ndihmën për bizneset që vuajnë në krizë, por tha se javët në vazhdim do të ishin shumë të vështira.

“Ne nuk mund ta ulim mbikëqyrjen dhe kujdesin tonë,” shtoi ai.

Sipas një projekt dekreti të qarkulluar të shtunën, palestrat publike dhe pishinat mund të mbyllen. Restorantet dhe baret do të mbyllen nga ora 6 e pasdites dhe njerëzit do inkurajohen të mos lëvizin jashtë lagjeve të tyre.

Qeveria italiane po përpiqet të mos mbyllë tërësisht ekonominë, por po përballet me zemërimin në rritje të njerëzve, përsa i përket kufizimeve të reja që u vendosën për të eleminuar tubimet publike.

Më parë gjatë javës, ora e ndalimit për lëvizje brenda ditës u urdhërua nga guvernatorët lokalë në Campania, zona përreth Napolit, Lazios, përreth Romës dhe Lombardisë, epiqendra e valës së parë, ku u regjistruan më shumë se 1.000 raste të reja të shtunën.

Në vazhdim, do të ketë kufizime dhe për rajone të tjera.

Me shërbimet e shëndetit publik që po vihen në presion, autoritetet kanë rihapur objektet e përkohshme të kujdesit intensiv të ndërtuara gjatë fazës së parë. Pavarësisht kësaj, organi më i lartë i shëndetit publik italian paralajmëroi të premten se shërbimet po i afroheshin pikës së krizës.

Burimi: Reuters