Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, arrestohet për sulm seksual

0
241

Ish-ministri i shëndetësisë Numan Baliq, është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale të Sulmit seksual.

Kështu i njëjti dyshohet se në vendin e tij të punës në Spitalin Regjional të Pejës, ka sulmuar seksualisht një femër 23 vjeçare, raporton Drejtësia Sot.

Lajmin për Drejtësia Sot, e ka konfirmuar zëdhënësi për media në Prokurorin e Pejës, Shkodran Nikçi i cili tha “se është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer vepër penale të sulmit seksual në spitalin regjional të Pejës, dhe i njëjti pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48 orë dhe se gjithashtu prokuroria në koordinim me Policinë janë duke ndërmarrë veprime tjera lidhur me këtë çështje”.

Kujtojmë se ish-ministri Baliq, edhe në vitin 2018 ishte i akuzuar për vepër penale të ngacmimit seksual por që Gjykata e Pejës e kishte liruar nga akuza në gusht të vitit 2019.

Në atë kohë Baliq, akuzohej se nga muaji gusht i vitit 2018, ishte përfshirë në mënyrë të vazhdueshme dhe të padëshirueshme me qëllim të ngacmimit dhe të frikësimit, të dëmtuarën që ishte prakikante në spitalin e Pejës.

Më tutje në aktakuzë sqaroheshin veprimet e të akuzuarit Baliq, ashtu që në kohën kur e dëmtuara kishte filluar praktikën në Spitalin Regjional të Pejës, i pandehuri në vazhdimësi i shkruante në “Viber”, mesazhe me përmbajtje ngacmuese.