Intervistimi i Thaçit nga Specialja në Hagë do të vazhdojë edhe nesër

0
117

Rreth 6 orë ka zgjatur edhe sot intervistimi i presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Intervistimi për të dytën ditë me radhë ka përfunduar rreth orës 19:00, ndërsa presidenti ka dalë nga objekti i Gjykatës Speciale dhe nuk është prononcuar për media.

Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë, duke filluar nga ora 13:00.

Gjatë të martës, për të dytën ditë me radhë, presidenti Thaçi u intervistua për gjashtë orë.

Pas intervistimit të sotëm, ai nuk u prononcua për mediat.

Thaçi u paraqit të hënën në Hagë, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Pas më shumë se gjashtë orësh brenda, Thaçi tha se u diskutua për “çështje sqaruese, teknike” dhe për “ato fillestaret të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Vetë presidenti njoftoi se intervistimi i tij do të vazhdojë të martën.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Përpara se të hynte të hënën në objektin e Prokurorisë Speciale për intervistim, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.