Insektet po zhduken!

0
152

Pothuajse gjysma e të gjitha llojeve të insekteve, mjaft të rëndësishme si për ekosistemin ashtu dhe për ekonominë po shfarosen me një ritëm të shpejtë në të gjithë globin, ngre alarmin një studim i cili paralajmëron për një kolaps katastrofik të mjedisit.

‘’Përfundimi është i qartë, nëse ne nuk ndryshojmë mënyrën tonë të prodhimit të ushqimeve, insektet do të shfarosen në disa dekada’’, theksojnë autorët e këtij bilanci të frikshëm, sintezë e 73 studimeve, që vë theksin më konkretisht në rolin e bujqësisë intensive.

Sot rreth një e treta e specieve kërcënohen të zhduken, dhe çdo vit rreth 1% më shumë i shtohen listës’’, njoftuan hulumtuesit bazuar në përllogaritjet e bëra nga Francisco Sanchez-Bayo dhe Kris Wyckhuys, i Universiteteve të Sidnejit dhe të Queensland.

Ky raport nxjerr në pah episodin më masiv të shfarosjes së insekteve që nga periudha e zhdukjes së dinosaurve.

Mbi 40 për qind e specieve të insekteve kanë regjistruar rënie domethënëse dhe një e treta janë të rrezikuar. Shkalla e zhdukjes është tetë herë më e shpejtë se ajo e gjitarëve, zogjve dhe zvarranikëve. Masa totale e insekteve po shënon rënie me 2,5 për qind në vit, sipas të dhënave që ngrenë alarmin se ato mund të zhduken brenda një shekulli.

Planeti është në fillim të shfarosjes së gjashtë masive në historinë e tij, me humbje të mëdha të raportuara tashmë tek kafshët, që janë më të lehta për tu studiuar, por insektet deri më tani janë qeniet me një shumëllojshmëri të spikatur dhe më të shumta në numër, duke ia kaluar me 17 herë edhe vetë njerëzimit.

Studimi është i bazuar në veçanti në rastin e Europës dhe SHBA-së ku edhe monitorimet janë më të rregullta, përcjell Atsh.

Në këtë fenomen ndikojnë agjentët patogjenë, llojet e specieve të dëmshme dhe në fund ndryshimi klimatik por veçanërisht në zonat tropikale.