Inaugurohet shtatorja e Ibrahim Rugovës në oborrin e Katedrales Nënë Tereza

0
395

Shtatorja e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova është inauguruar sot në oborrin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji dhe dy djemtë e ish-presidentit  Rugova e kanë zbuluar shtatoren, e cila është punuar nga skulptori Fatmir Hoxha.

Ipeshkvia e Kosovës kishte planifikuar që gjatë ditës së sotme të inaugurohet edhe shtatorja e Anton Çettës, por është tërhequr nga vendimi një ditë më parë pas kundërshtimit të vajzave të Çettës.

I vetëm që ka folur pas ceremonisë së inaugurimit të shtatores së Rugovës ka qenë skulptori Fatmir Hoxha.

“Dy vjet të plota kam punua, nga 14- 15 orë në ditë, përveç të dielave, deri pas meshës. Ky realizim është gjysma e synimit, shpresoj se do të vendoset edhe shtatorja tjetër”, ka thënë Hoxha.

Kujtojmë se Hoxha është autor edhe i shtatores së Anton Çettës, e cila ishte planifikuar të inaugurohet së bashku me atë të ish-presidentit Rugova.