Imuniteti ndaj COVID-19 mund të zhduket në disa muaj

0
90

Imuniteti i bazuar në antitrupa, i fituar pas shërimit nga COVID-19, kryesisht do të zhdukej brenda disa muajsh, sipas një studimi të ri, i cili mund të komplikojë zhvillimin e një vaksine efektive në planin afatgjatë.

“Kjo punë konfirmon që përgjigjet e antitrupave mbrojtëse te njerëzit e infektuar me SARS-CoV-2 (…) duket se po bien me shpejtësi”, nënvizoi sot Stephen Griffin, profesor i asociuar në shkollën mjekësore të universitetit të Leeds në Britaninë e Madhe.

“Vaksinat në zhvillim ose duhet të krijojnë një mbrojtje më të fortë dhe më të qëndrueshme kundër infeksioneve natyrore, ose të administrohen rregullisht”, shtoi mjeku, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

“Nëse infeksioni ju jep nivele të antitrupave që bien në dy deri në tre muaj, vaksina potencialisht do të bëjë të njëjtën gjë dhe një injeksion i vetëm mund të mos jetë i mjaftueshëm”, thekson Katie Doores, autore kryesore e studimit, për “The Guardian”.

Studimi nga prestigjiozi “King’s College London”, i cili ende nuk është shqyrtuar nga kolegët, është publikuar në faqen e internetit të medrxiv.

Studiuesit studiuan reagimin imunitar të më shumë se 90 rasteve të konfirmuara (përfshirë 65 nga testet virologjike) dhe tregojnë se nivelet e antitrupave neutralizues, të aftë për të shkatërruar virusin, arrijnë kulmin mesatarisht rreth tre javë pas shfaqjes së simptomave, pastaj ulen me shpejtësi.

Sipas testeve të gjakut, madje edhe individë me simptoma të butë kanë pasur një përgjigje imunitare ndaj virusit, por përgjithësisht më pak sesa në forma më të rënda.

Vetëm 16,7% e subjekteve kishin ende nivele të larta të antitrupave neutralizues 65 ditë pas shfaqjes së simptomave.