Ikbal Çika, gazetarja e parë shqiptare

0
174

Intelektuale e shquar, gazetare me penë të mprehtë, publicistja Ikbal Çika zë një vend shumë të rëndësishëm në historikun e gazetarisë shqiptare. Ajo ka qenë kryeredaktorja dhe administratorja e parë e gazetës “Arbëria”. Nga pasioni i madh për shtypin, ajo mori përsipër përgjegjësi akoma më të mëdha duke u bërë pronare e disa revistave, si: “Java”, “Shpresa Kombëtare”, “Ylli i Mëngjesit” dhe “Gruaja Shqiptare”. Ishte gazetare aktive me funksione drejtuese te revista “Minerva”, si edhe në disa të tjera të përkohshme, si: “Arbenia”, “Rilindja e Arbërisë”, “Vullneti i Arbërisë” etj.

Gazetat dhe revistat që ajo drejtoi, një vëmendje të veçantë i kushtonin çështjes së gruas. Sporti dhe edukimi fizik ishin pjesë e politikave të emancipimit të gruas. Te revista “Shqiptarja” vihet re një lajm që bën të ditur se këto zonja kishin organizuar disa gara noti, por ato kishin guxuar të organizonin në Korçë “një garë të madhe të automobilave”. “Shqiptarja” ishte një revistë tjetër e përjavshme, organi i shoqërisë “Gruaja Shqiptare”, ku Emine Toptani ishte nënkryetare e shoqatës dhe Parashqevi Qiriazi ishte sekretare.

Vitet 1925-1926, e gjejnë Ikbalen mësuese në shkollë fillore. Viti 1926 si gazetare aktive në gazetën “Demokraci”. Aty kishte hapur një rubrikë të veçantë ku në çdo numër shkruante artikuj që kishin lidhje me problemet e grave dhe vajzave. Sipas saj, vajzat duhet të ishin jo vetëm nikoqire të mira, por edhe gra të kulturuara që të krijonin një brez të ri të integruar me jetën që i priste. Ajo thoshte se “Gruaja është ëmbëlsira e shtëpisë”, bazë për krijimin e brezit të ri.

“Gruaja sot”, shkruante Ikbalja, “s’ka të drejta të njëjta me burrin, s’ka të drejtë të përzihet në çështjet e shoqërisë, s’ka të drejtë të zgjidhet e të zgjedhë në parlament, nuk i jepet besimi dhe përgjegjësia e duhur…”.

Duke shfletuar me kuriozitet shtypin e kohës, te “Shqiptarja” Ikbalja shkruante: “Gruaja shqiptare nuk mund ta kryejë misionin e saj të lartë dhe bujar, po qe se nuk i mëson të gjitha ato që mund ta ndihmojnë për të kryer e për të plotësuar detyrën e saj delikate. Pra, shkolla dhe shtypi duhet të veprojnë me të gjitha energjitë në këtë lëmë… Lumturia e shtëpisë, e kombit dhe e atdheut është në duart e grave intelektuale…”.

Këto ishin disa nga përpjekjet dhe luftën e madhe që bënin intelektualet e asaj kohe./albfem