Humanistja kosovare që ka lënë jetën në Holandë që të kujdeset për qentë endacak

0
208

Pasioni dhe dashuria ndonjëherë të detyrojnë të ndjekësh ‘misione të pamundura’. E keni menduar ndonjëherë, të punosh 24 orë në ditë, të mos e fitosh asnjë cent?

Kjo është ajo që bën Flora Bujupi. Ajo kujdeset për më shumë se 80 qenë endacak dhe nuk fiton asgjë, përvec buzëqeshjes dhe lumturisë së tyre.

Në një intervistë për Indeksonline, Bujupi tregon se si e ka lënë jetën dhe familjen e saj në Holandë vetëm e vetëm që të kujdeset për qentë e rrugëve.

Qendra strehimore e saj ‘Katër Putrat’, që gjendet në fshatin Grackë e Vogël në Lipjan, përkundër problemeve të pafundme, po vazhdon të funksionoj.

“Strehimoren e financoj kryesisht unë, bashkëshorti im më ndihmon me financa rregullisht. Por kemi përkrahje nga disa njerëz të mirë, që ndihmojnë ndonjëherë me donacione të ndryshme. Fatkeqësisht nuk kemi përkrahje nga komuna, as nga autoritetet qendërore, nuk kemi asnjë lloj përkrahje financiare. Kjo është për të ardhur keq, pasi ne po e kryejmë punën që shteti duhej ta kryente.”, shprehet Bujupi ndër të tjera.

Përvec vështirësive financiare, strehimorja ka probleme me gjetjen e ushqimit dhe trajtimeve mjekësore.

Znj.Bujupi për të qenë sa më afër qenëve, ka ndërtuar një shtëpizë të vogël, ku edhe e bën gjumin dhe ushqimin për vete.

Por, përkundër vështirësive të shumta, dashuria që ka ndaj këtyre krijesave është më e madhe.