Hoti takim me Bordin dhe Menaxhmentin e Trepçës si dhe Sindikatën e Telekomit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka takuar Bordin dhe Menaxhmentin e Trepçës, të cilës i është bllokuar llogaria për shkak të borxheve ndaj kreditorëve.

Pavarësisht performancës së mirë dhe rritjes së prodhimit për 28% gjatë këtij viti, rënia e çmimeve në bursa dhe tregje ndërkombëtare e ka nxjerrë këtë kompani me afarizëm negativ.

Trepça ka trashëguar kontrata të pafavorshme të cilat po i shkaktojnë dëme financiare. Prandaj, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të bashkëpunojë me Bordin dhe Menaxhmentin e Trepçës, në përgatitjen e planit të biznesit për tejkalim të situatës.

Kryeministri Hoti, bashkë me Ministrin Kuçi, sot ka takuar edhe Sindikatën e Telekomit të Kosovës, të cilës po ashtu u janë bllokuar llogaritë, edhe pse në tre muajt e fundit Telekomi i Kosovës ka performuar pozitivisht.