Hoti: Projekt shumë i rëndësishëm për rrjetin infrastrukturor rrugor në nivel vendi

0
59

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në fillimin e punimeve në zgjerimin e rrugës në hyrje të qytetit të Ferizajt, projekt të cilin e quajti të rëndësishëm jo vetëm për këtë komunë, por për tërë rrjetin infrastrukturor edhe rrugor në nivel vendi.

“Një projekt shumë me rëndësi që krijon qasje të mirë për qytetarët e Ferizajt, me komunat përreth, regjionet përreth. Më vjen shumë mirë që më në fund janë kompletuar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar këtë projekt dhe e falënderoj BERZH-in, dhe kompaninë që ka marrë përsipër ndërtimin e saj, si dhe ambasadorin italian që e kemi prezent në shumë ngjarje të tilla, ku përmes kompanisë italiane po rritet prezenca e kompanive të BE-së përgjithësisht, që është në interes të madh për ne”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti nënvizoi se, është kompletuar projekti i cili i akomodon plotësisht nevojat e qytetarëve me nënkalimet e nevojshme për lëvizje të lirë për integrim të plotë të të gjitha lagjeve përreth këtij projekti, si dhe janë akomoduar edhe nevojat e bizneseve në mënyrë që ato të mos mbesin të izoluara për qasje në këtë infrastrukturë.

“Duke parë seriozitetin e kompanisë, unë besoj që do të përfundojë në afat rekord. Ky është vetëm një nga disa projektet që financohen nga BERZH-i. Ministri i Infrastrukturës, Abrashi ka një listë të gjatë projektesh, që besoj do t’i qojmë shpejt përpara, kryesisht me financim ndërkombëtar, duke marrë parasysh prioritetet që kemi në Kosovë edhe për fusha dhe sektorë të tjerë”, tha kryeministri Hoti.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve në zgjerimin e rrugës në hyrje të qytetit të Ferizajt, bashkë me kryeministrin Hoti ishin edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando dhe Drejtori i BERZH-it në Kosovë, Neil Taylor.

Ky projekt financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej 13 milionë e 407 mijë e 679, 56 euro, me gjatësi prej 5.6 km.