Hoti garantoi mbështetje të mëtejme për KRPP-në

0
59

Kryeministri i Republikës se Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, vizitoi sot Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), ku me anëtarët e bordit të këtij institucioni diskutoi për të arriturat në implementimin e Prokurimit Elektronik, përkatësisht në përmbylljen e fazës së parë – Transparencës në prokurimin publik, si dhe për procesin e fazës së dytë të reformës për prokurim publik.

Kryeministri Hoti tha se ndihet mirë që faza e parë e prokurimit elektronik ka filluar kur ai ka qenë Ministër i Financave, para 5 vjetësh, ndërsa tash është plotësisht funksionale.

“Kjo fushë është tejet e rëndësishme, pasi që brenda vitit janë rreth 630 milionë euro që kalojnë nëpër procedurat e prokurimit, si dhe 12 mijë kontrata që nënshkruhen nga të gjitha autoritetet kontraktuese, ndaj jemi shumë të interesuar ta çojmë përpara avancimin e prokurimit në Kosovë’’ theksoi kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti derisa nënvizoi se me fazën e parë është siguruar transparencë në këtë proces, sqaroi se faza e dytë ka të bëjë me efektivitetin në fushën e prokurimit publik.

“Kjo për ne është ndër reformat kryesore që do të ndërmarrim në administratën shtetërore dhe do të kursejë dhjetëra miliona euro të taksave të qytetarëve, duke rritur konkurrencën në treg dhe efektivitetin”, tha Kryeministri Hoti.